E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet asambleja e PS-së në Njësinë 4, në fokus riorganizimi

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Procesi i riorganizimit të strukturave të Partisë Socialiste në kryeqytet vijoi sot Njësinë Administrative nr. 4, me zhvillimin e asamblesë në këtë njësi, në kuadër të një faze të re pune për socialistët e Tiranës.

Në Asamblenë e Njësisë 4 morën pjesë kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama, drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesit politikë të njësisë, Blerina Gjylameti dhe Eduart Shalsi.

Drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu, u ndal te nevoja për një hapje më të madhe të partisë dhe për një komunikim më të afërt me qytetarët në çdo komunitet.

“Është e rëndësishme që të gjithë së bashku të angazhoheni në këtë fazë të rienergjizimit të Partisë Socialiste për ta hapur Partinë Socialiste edhe më shumë ndaj vajzave, grave dhe të rinjve, duke përçuar gjithashtu punët e mira që qeveria është duke bërë, ato që ne po çojmë përpara, reformat gjithashtu në kuadër të procesit të integrimit europian. Të flasim hapur sy më sy me njëri-tjetrin në çdo organizatë dhe në çdo komunitet”, theksoi Manastirliu.

Asambleja e Njësisë 4 vjen si pjesë e një serie takimesh në të gjithë Tiranën, që synojnë riorganizimin dhe fuqizimin e strukturave të Partisë Socialiste.

Fokusi i kësaj faze mbetet forcimi i strukturave në çdo lagje, zgjerimi i partisë përmes përfshirjes së të rinjve, grave dhe vajzave, si dhe intensifikimi i komunikimit me qytetarët për shqetësimet e tyre, për punët e realizuara dhe për projektet që pritet të konkretizohen në vijim për Tiranën dhe Shqipërinë.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›