Mbreti Charles III në Vatikan për një vizitë historike me Papën Leo

Mbreti Charles III ka mbërritur këtë të enjte në Vatikan për një vizitë historike te Papa Leo, duke u bërë monarku i parë britanik që lutet publikisht me një papë që prej ndarjes së Kishës së Anglisë nga katolicizmi pesë shekuj më parë.
Një autokolonë mbretërore që transportonte Charles-in dhe Mbretëreshën Camilla hyri në Sheshin e Shën Pjetrit, kaloi përmes Harkut të Kambanave dhe mbërriti në Oborrin e San Damasos, ku çifti mbretëror u prit me ceremoni zyrtare nga garda e nderit e Vatikanit.
Sipas njoftimeve zyrtare, Mbreti Charles, i cili është edhe Udhëheqësi i Kishës Anglikane, do të zhvillojë një takim privat me Papën në Pallatin Apostolik. Ky është takimi i tyre i parë që nga zgjedhja e Papës Leo në fillim të këtij viti.
Pas takimit, Charles dhe Camilla do të marrin pjesë në një shërbesë të përbashkët në Kapelën Sistine, të udhëhequr nga Papa Leo dhe Kryepeshkopi i Jorkut, Stephen Cottrell, në një moment të përshkruar nga analistët si historik për marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Anglikane.
Vizita e monarkut britanik në Vatikan shihet si një hap i rëndësishëm drejt dialogut ndërfetar dhe pajtimit simbolik mes dy kishave, pas ndarjes që daton në vitin 1534, kur mbreti Henry VIII u shkëput nga autoriteti i Selisë së Shenjtë dhe themeloi Kishën e Anglisë.
/rtsh.al/