E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama prezanton “Paketën e Maleve”: Lehtësojmë investimet në zonat malore, përcaktoni zonat prioritare pa vonesa

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot “Paketën e Maleve”, një nismë që synon të nxisë zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit malor në Shqipëri, si dhe të ofrojë mundësi për kthimin e qytetarëve në tokat e të parëve me mbështetje të plotë nga qeveria.

Rama e cilësoi këtë paketë si “një politikë nxitëse dhe transformuese” që do të krijojë kushte të favorshme për investime në territoret malore dhe rurale, duke i dhënë jetë një Shqipërie më të balancuar ekonomikisht.

“Me Paketën e Maleve hapet një perspektivë krejtësisht e re për të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipërinë turistike. Do të ketë shumë më pak dokumente dhe shumë më shumë mbështetje nga qeveria,” deklaroi Kryeministri.

Rama pranoi se zbatimi i paketës po ecën “me ritëm të ulët” në raport me pritshmëritë dhe theksoi nevojën për shpalljen pa vonesë të zonave prioritare për investime. Ai kërkoi nga institucionet përgjegjëse të eliminojnë pengesat burokratike që po dekurajojnë aplikantët.

“Në ditën e parë që u hap platforma online, pati 800 shprehje interesi, kryesisht nga shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Kjo tregon fuqinë tërheqëse të kësaj pakete. Por vonesat në proces janë dekurajuese për investitorët.Kemi ndërtuar këtë paketë për të ndihmuar ata që duan të investojnë në tokën e tyre, por s’kanë mundur për shkak të mungesës së dokumenteve. Vonesa është e juaja, ne kemi dhënë mjetin, duhet vetëm ta përdorni.” u shpreh Rama.

Kryeministri tha se disa nga deputetët e mazhorancës janë tashmë duke përgatitur amendamente për të lehtësuar ligjin, në mënyrë që të hiqen ngarkesat e panevojshme burokratike dhe të përshpejtohet procesi i miratimit të projekteve.

Rama e quajti “Paketën e Maleve” si “ilaçin për një dhimbje 30-vjeçare”, duke iu referuar problemeve të pronësisë dhe pamundësisë për të investuar në tokat familjare.

“Shumë qytetarë nuk kanë pranuar 7501-shin ose nuk kanë marrë ende dokumentet që i njohin pronën. Ligji 20/20 nuk dha rezultatin e pritur sepse kërkonte miratimin e çdo kufitari të pronës, gjë që shpesh është e pamundur. Me këtë paketë, ai që ka tokën mund të vijë në bashki dhe të thotë: ‘Dua të ndërtoj këtu një agroturizëm apo një fermë’. Kjo është fryma e re që duam të sjellim,” theksoi Rama.

Sipas qeverisë, “Paketa e Maleve” synon të aktivizojë zonat e braktisura malore, të sjellë investime të reja në agroturizëm, bujqësi dhe shërbime turistike, si dhe të krijojë vende pune dhe zhvillim lokal të qëndrueshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›