'Me Saliun në krye do të shkriheni fare', Balla përplaset me Zhupën në Komision: Selia e PD-së do të bëhet magazinë fishekzjarrësh! Deputetja: Ne kemi lindur nga protesta (VIDEO)

Gjobat ndaj protestuesve kanë sjellë një tjetër debat mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën.
Deputeti socialist Arkend Bala deklaroi se nuk është gjobitur asnjë qytetar që ka protestuar në mënyrë paqësore, ndërsa akuzoi PD-në se ka paguar protestues për të ushtruar dhunë ndaj policisë.
Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, iu kundërpërgjigj duke theksuar se Partia Demokratike ka lindur nga protestat dhe se ka mbështetur gjithmonë studentët.


Pjesë nga debati:
Arkend Balla: Po lexoja gjobat me vëmendje, nuk e di nëse e keni bërë dhe ju këtë, pavarësisht retorikës që bën dhe këtu. Njërin e ke datëlindja e vitit 73, meqë the që janë gjobitur studentë.
Ina Zhupa: Nuk thashë që janë gjobitur studentë unë.
Arkend Balla: Një tjetër e ke 63-shi, por qenka dhe… po, Arvina Lleshi është studente, por është kjo që përndjek deputetët dhe çdo njeri që mendon kundër saj i përndjek në rrugë dhe e di çfarë syzesh kishte ajo, kishte syze Fendi 700 euro, ajo që i qan hallin njerëzve të thjeshtë.
Ina Zhupa: Po pse, me lekët e tua i bleu apo me të buxhetit?
Arkend Balla: Këto mbroni ju, këto mbroni. Jo se i paguani ju për të shkuar në protestë dhe këta nuk janë protestues qytetarë, këta janë dhunues, prandaj janë gjobitur.
Ina Zhupa: Po çfarë merreni nëpër gojë protestuesit ju më, ju shikoni ata që vjedhin buxhetin e shtetit, mos u merrni me protestuesit.
Arkend Balla: Kanë dhunuar policinë, institucionet, kanë djegur ministritë dhe bizneset private.
Ina Zhupa: Zero, asnjë, ja shikoji, i ke me emra.
Arkend Balla: Dhe nuk duhet të vish për komision se ke disa mbledhje që vjen dhe promovon dhunën këtu.
Ina Zhupa: Unë nuk promovoj dhunën, promovoj protestën dhe promovoj qytetarët e lirë të këtij vendi.
Arkend Balla: Të gjithë qytetarët që kanë protestuar në mënyrë qytetare nuk kanë pasur asnjë gjobitje, asnjë dhunë, po këta nuk janë qytetarë që protestojnë në mënyrë të paqtë.
Ina Zhupa: Po çfarë janë ata, more?
Arkend Balla: Këta janë qytetarë që janë dhunuar, këta janë gjobitur sepse kanë bllokuar qarkullimin rrugor.
Ina Zhupa: Zero, nuk është e vërtetë.
Arkend Balla: Po si nuk është e vërtetë, e ke të shkruar këtu.
Ina Zhupa: Nuk është e vërtetë, more zotëri, thjesht kanë ndenjur atje në rrugë.
Arkend Balla: Meqë na ke futur në këtë debat, se je bërë këtu si drejtoresha e AMP-së, që gjykon veprimet e Policisë së Shtetit, ka institucione shteti që, nëse Policia e Shtetit ka vepruar në mënyrë të gabuar, do të hetohet dhe do të merren masat.
Ina Zhupa: Unë po ta kisha në dorë, atë e kisha shkrirë, sepse ajo gjobë është antikushtetuese, është kot.
Arkend Balla: Si gjobë kot e ke për bllokim rruge? I ke parë në Evropë çfarë të bëjnë për bllokim rruge? I ke lexuar ligjet? Nuk të lejohet të bllokosh rrugën, zonjë, kështu që mos promovo dhunën këtu.
Ina Zhupa: Nuk promovoj dhunën, promovoj protestën.
Arkend Balla: Ore, ne s’e kemi fare hallin te PD, se ne shyqyr që ju kemi, ju duam shumë, ju jeni fati ynë më i madh. Sa të jeni ju aty me në krye Saliun dhe ajo godina që furnizon me molotov, në vitin 2029 do të kthehet në magazinë për të shitur fishekzjarrë, se nuk do ju hyjë në punë për asgjë tjetër, se do të shkriheni fare si parti.
Ina Zhupa: Kush flet, godina e PS-së që kishte futur punonjës shteti me shkopinj bejsbolli që të dhunonin protestuesit. PD ka lindur nga protesta, që i ka mbështetur studentët, që i mirëpret studentët kur i dhunon policia. Nuk mund të marrësh këtu në gojë dhe të fillosh të flasësh me emra konkretë.
Arkend Balla: Ti s’ke lënë rob pa marrë nëpër gojë këtu në çdo mbledhje, si mund të flasësh ti për të marrë rob nëpër gojë? Jo vetëm ti, se nuk e ke ti, është fryma që ju e keni si parti.
Ina Zhupa: Po patjetër, sepse unë kam folur për zyrtarët publikë që paguhen me paratë e buxhetit të shtetit, kurse ti flet për protestuesit, ata nuk paguhen me paratë e buxhetit të shtetit, nuk e kanë vjedhur ata buxhetin.
Arkend Balla: Jo, unë flas për dhunues të Policisë së Shtetit, për këta po flas unë, nuk po flas për protestuesit, as për studentët. Këta janë të gjithë persona që i keni paguar ju për të ardhur në protestë e për të goditur policinë.
Ina Zhupa: Zero, zero gënjeshtër, ajo është protesta më e pastër dhe më qytetare që ju nuk e menaxhoni dot.
Lajmi kryesor: