Rama prezanton platformën “Fol me Kryeministrin”: Një tjetër hapësirë ndërveprimi me qytetarët - ATSH -
TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot një tjetër hapësirë ndërveprimi me qytetarët. “Fol me Kryeministrin” është një platformë e hapur 24 orë, përmes së cilës çdo qytetar mund të komunikojë dhe të ndajë mendimet e tij me Kryeministrin dhe qeverinë.
Duke iu referuar klimës së protestave dhe vështirësive në zhvillimin e dialogut, Kryeministri tha se teknologjia krijon një mundësi të re për komunikim të drejtpërdrejtë, shkëmbim informacioni dhe opinionesh, përmes një skuadre të dedikuar që do të ndjekë ndërveprimet në platformë.
“Faqja është gati. Cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, për të hyrë në një dialog në kushtet, kur vijmë nga një sfond protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju”, tha Rama.
Sipas tij, kjo është një urë komunikimi funksionale e hapur 24 orë.
“Patjetër një skuadër e dedikuar do të garantojë gjithë qarkullimin e informacionit edhe të opinioneve që shkëmbehen dhe kështu jemi në kushtet kur në këtë fazë, sepse besoj që më herët se vonë do të shkrihen dhe akujt e vendosur artificialisht nga ata të cilët mendojnë se mund t’i imponohen shoqërisë, mund t’i imponohen bashkëjetesës demokratike, mund t’i imponohen të gjithë atyre që mendojnë ndryshe prej tyre dhe ndërkohë ne shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që na jep teknologjia. E keni në kompjuter, e keni në pasqyrën e celularit. Mirë se vini në ‘Dialog'”, shtoi Rama.
/m.m/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
