Me duar të... pastruara
I ndjeri Adil Çarçani, kryeministër i Shqipërisë, hëngri burgun se kish pirë shumë kafe. Një ish-kryeministër tjetër, kaloi katër vjet të mira pas hekurave, se italianët kishin menduar t'i dhuronin shqiptarëve konserva në vend të miellit dhe orizit. Ky i sotmi... Për sa kohë që Kryeministri ynë nuk është trazuar me ushqimin e pijet, (madje edhe qeverinë e ka në dietë) nuk duket se e ndjen të paktën t'ia kalojë detyrën një tjetri, siç kërkohet poshtë e përpjetë. Madje, e mira për ne do të qe, që, jo vetëm të mos i kërkojë më njeri dorëheqjen zotit Berisha, por t'i luten që të qëndrojë sa më gjatë. Çdo shtytje për t'u larguar, zotin Berisha e ysht për zarare të tjera.
Nja dy ditë pas katastrofës, një agjenci fqinje lajmesh e dorës së dytë, botoi një lajm sikur një diplomat i lartë perëndimor (pa emër e pa adresë) na paskësh thënë se shpërthimi i Gërdecit qe dora e serbit. Pa një, pa dy, këtë tezë nuk munguan ta shtjellojnë edhe funksionarë të lartë të shtetit, si gjysmë thashethem e gjysmë të sigurt. Madje, ka të dhëna që heshtaz-heshtaz po i bëhet yzmet kësaj mendjeje, pra, që ngjarja s'qe aksident, por e kurdisur. Vetë Kryeministri përqasi 11 Shtatorin 2001 (goditjes së kullave binjake në Nju Jork nga terrorizmi ) dhe Gërdecit, por sqaroi që "ngjashmëria është vetëm në përmasat e katastrofës".
Pavarësisht nga zbutjet dhe nuancat, në thelb, në gjuhën diplomatike, kjo është deklaratë lufte. Le të kujtojmë sen pas identifikimit të 11 Shtatorit si vepër e Al Kaedës, Shtetet e Bashkuara nisën sulmin mbi bazat e kësaj organizate në Afganistan. Zoti na ruajti që Berisha e la ngjashmërinë deri tek përmasat e katastrofës! Zarari nuk mbaron me kaq. Duke dashur të largojnë sa më shumë përgjegjësi nga vetja dhe qeveria, politika ka futur në sherr Shtabin e Përgjithshëm me Ministrinë e Mbrojtjes. Si rrallë ndonjëherë, një javë e ca pas katastrofës dhe lumit të konferencave të Berishës dhe Mediut, autoritete të larta të Shtabit të Përgjithshëm dalin në publik me deklarata përgënjeshtruese ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Situatë më të rrezikshme dhe destabilizuese se kjo vështirë se mund të krijojë politika e një vendi kaq pranë NATO-s. Po, as këtu nuk është fundi.
Kur pëshpëritej se mediat e huaja po botonin një shkrim pikërisht për këtë aferë dhe për lidhjet e mafias me shtetin, Kryeministri, pa iu dridhur qerpiku sulmoi "mafian e medias". Qymyri edhe po s'të dogji - të nxin. Me këtë llagap pas qafe, hajde shkruaj për Berishën pastaj! E, sërish, nuk mbaron këtu. Sa pa u shuar gjëmimi, Kryeministri hapi parashutën e Amerikës. Duke ditur se shqiptarët janë populli më proamerikan ndoshta në botë, përfaqësuesit më të lartë të qeverisë, të përfshirë në ngjarje, nuk ia përtuan t'i përplasin publikut të tronditur kartën e "kompanisë nga SHBA". Më pas, megjithëse fqinjët nuk u kursyen (nga Kosova e Maqedonia, bashkë me gjakun e dhuruar e ndihma të tjera, mbërritën edhe autoritetet të larta shtetërore, nga Greqia e Italia, avionë me mjekë e ndihma mjekësore, si dhe çelën spitalet më të mira për të lënduarit) kryeministri falenderonte ...SHTETET E BASHKUARA! Le të kujtojmë pak se kur opozota e akuzonte në Kuvend për abuzimet me paratë e rrugës Durrës-Kukës, i njëjti Berishë u hakërrehej: "Mirë, mirë! Me "Bechtelin" kruajini brirët ju!", me demek se "Bechtel" ishte Amerika dhe ky - dora e Amerikës në këtë vend! Në fakt, SHBA është shumë e gjerë për t'u bërë mike, por shumë e ngushtë për t'u bërë brekë.
Vështirë se ka gjë në botë që mbulon shtetin informal që zbuloi pjesërisht Fabrika e Çmontimit të Municioneve.
Që më 15 mars, burimet zyrtare saktësuan se shumica e ndërtimeve në Gërdec qenë pa leje. Më pas Kryeministri, duke marrë përsipër t'i rindërtojë, nuk i referohet hipotekës - ku vërtetohet pasuria e paluajtshme - por ALUIZNIT, Agjencisë së Legalizimeve, Urbanizimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale. Pra, me lekët e djersës që shqiptarët po i japin anekënd vendit, kryeministri merr përsipër të rimëkëmbë ndërtimet e paligjshme?! Ditën e tragjedisë, për të gjetur se sa kishin vdekur apo humbur, shteti nuk iu drejtua Zyrës së Punës dhe Gjendjes Civile pranë pushtetit vendor, por kryepleqve dhe atyre të gjorëve në spital, duke i pyetur nëse mbanin mend shokët e punës! Atë informacion që e pretendonte nga Shërbimet Sekrete, Kryeministri mund ta kish patur shumë më hapur prej inspektorëve të zonës, strukturë e Ministrisë së Brendshme.
Por, ndoshta nga protagonizmi i Berishës a kush e di çfarë, kjo ministri, në faqen e saj të internetit, ngjarjen e përmend për herë të parë vetëm pas një jave, më 21 mars! Gjithashtu, sipas gjasave, Gërdeci nuk do të kursejë as Prokurorinë. Jam kureshtar të shoh se si do të hetohet një kryeministër ende në detyrë, i gjithëpushtetshëm, në një vend ende në tranzicion dhe lindor në mendësi, nga një prokurori e cila deri para ca muajsh mbante njollën e lidhjeve me krimin e organizuar dhe që tani drejtohet prej një zonje të përzgjedhur e votuar nga shumica që udhëheq po ai Kryeministër që ka edhe gurin, edhe arrën.