E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë, punëtoret më të mëdha të fabrikës së Gërdecit

 

Pjesa më e madhe e të punësuarve në këtë fabrikë ishin gratë, të cilat punonin nga pastrimi deri tek demontimi i predhave

TIRANË- Çdo ditë që kalon nga tragjedia e 15 marsit shton edhe më shumë numrin e viktimave. Pas vdekjes së Kore Deliut, një tjetër punëtore e fabrikës ka humbur jetën në spitalet e Italisë. Ajo është Zelfie Ahmeti. Viktimat e fundit të kësaj drame janë të gjitha femra, të cilat ishin edhe pjesa më e madhe e punëtorëve në fabrikën e vdekjes. Ditari i fabrikës së Gërdecit tregon me detaje se si punonin këto femra dhe si përdoreshin nga pronari i tyre që nga pastrimi i territorit dhe predhave e deri tek hapja e tyre.

Grupi i pastrimit të gëzhojave në fabrikën e Gërdecit përbëhej vetëm nga femra. Ishin dhjetë gra që çdo ditë pastronin dhe lanin gëzhojat e plumbave që janë demontuar por edhe trafikuar nga fabrika e Gërdecit. Detyra e tyre konsiderohej si e lehtë nga pronarët e fabrikës dhe për këtë duhet të paguheshin me një mijë lekë në ditë. Po kështu edhe grupi i pastrimit të predhave përbëhej vetëm me gra. Sipas shënimeve të mbajtura nga vetë zyrtarët e kompanisë, të cilat tashmë ndodhen në dispozicion të "Shekullit", ky grup nuk kishte një numër të përcaktuar. Në varësi të ditëve të veçanta, në pastrimin e gëzhojave punonin nga 18 deri në 25 vajza dhe gra. Pjesa më e madhe e tyre ishin banore të zonës përreth fabrikës së Gërdecit. Disa prej tyre janë plagosur rëndë nga shpërthimi i 15 marsit e janë dërguar jashtë Shqipërisë për kurim më të specializuar. Mes tyre ndodhet edhe një nga të zhdukurat e kësaj tragjedie, Shqipe Alhasa. Të gjitha këto gra paguheshin vetëm me një mijë lekë në ditë për rrezikun që merrnin përsipër por edhe për punën e rëndë që duhet të bënin. Ato duhet të pastronin mijëra predhat që hapnin dhe bënin gati grupet e tjera të punës. Për çudi grupi i pastrimit të territorit përbëhej nga meshkuj dhe jo gratë.

Këto gra, për të arritur normën e kërkuar nga pronarët e tyre por edhe disa para më shumë janë detyruar që të punojnë edhe në hapjen e predhave ose të barutit. Shënimet e "Llogaritarit" të fabrikës së Gërdecit janë të mbushura me emra grash që rrezikonin jetën çdo ditë për t'u paguar vetëm me pak më shumë se 10 lekë për çdo predhë që hapnin. Ditari pasqyron punën e tyre të përditshme, e cila është paksa më e ngadaltë se ajo e meshkujve. Grupet e punës së demontimit të predhave që ishin të përbërë nga meshkujt arrinin që të bënin një volum më të madh pune e për pasojë paguheshin paksa më shumë. Edhe pse përpiqeshin, këto gra nuk arrinin që të kapnin normën e meshkujve në këtë punë vdekjeprurëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›