E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, si dështim i komunikimit

 

Ngjarja e Gërdecit do ta vazhdojë të lakohet edhe për shumë kohë në opinionin publik shqiptar. Përmasat e saj katastrofike bëjnë që gjithmonë të gjendet një këndvështrim i ri i kësaj historie të dhimbshme dhe të zbulohen fakte të reja. Por Gërdeci ofron një mësim edhe nga pikëpamja e komunikimit me publikun, në rast krizash. Qeveria shqiptare dështoi në këtë mision, duke ofruar një kaos total informacioni, i cili bëri që njerëzit për shumë kohë të përfshiheshin nga paniku dhe të mos dinin përmasat reale të ngjarjes. Media u gjend e para në vendngjarje, por ajo kishte nevojë për informacion. Në mungesë të tij nga burime shtetërore, filluan hamendësime, interpretime. Shumë-shumë normale. "Reporterët duhet të marrin informacion dhe nëse ju nuk e siguroni atë, ata do të raportojnë thashetheme",- thotë Susan King, zëdhënëse e dy departamenteve në administratën e Klintonit.

Qeveria nuk mund ta fajësojë median për pasqyrimin e Gërdecit, pasi strukturat e saj të komunikimit nuk ishin në gjendje të siguronin informacion të saktë dhe në kohë. Asnjë njoftim nuk doli nga Ministria e Mbrojtjes, ditën e ngjarjes. Ministria e Mbrojtjes ishte struktura që zotëronte informacionin më të plotë rreth rrethanave të ngjarjes, pasi ishte agjencia kryesore qeveritare drejtpërdrejtë e përfshirë në të. Pse duhej të dilte kontrata e shumëpërfolur mes "MEICO"-s dhe "Albdemil" dy ditë pas ngjarjes? Në raste krizash, informacioni matet me minuta e sekonda, jo me ditë. Nëse komunikimi do ishte transparent, siç trumbeton qeveria, kontrata duhet të kishte dalë që atë ditë. Kjo do t'i kishte kursyer edhe Kryeministrit, deklaratat kontradiktore në lidhje me firmën që punonte në Gërdec. Pse duhej të prisnim që kryeministri të vizitonte në spital të mbijetuarit, që të merrnim vesh numrin e përafërt të punëtorëve të fabrikës? Edhe dy ditë pas tragjedisë, përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, në panele diskutimi televiziv ishin specialistë të rangjeve të ulëta, që nuk kishin ç'të ofronin tjetër përveç shpjegimit teorik, duke u gjendur pa të drejtë nën breshërinë e akuzave dhe pikëpyetjeve normale të gazetarëve apo analistëve.

Nuk po diskutojmë këtu motivet për një veprim të tillë, kjo është një çështje tjetër. Ajo që u duk qartë, ishte mungesa e koordinimit në dhënien e informacionit nga ana e shtetit. (Kjo gjë vazhdon edhe sot, kur struktura të ndryshme brenda Ministrisë së Mbrojtjes ia ngarkojnë fajin njëra-tjetrës në konferenca të veçanta për shtyp). Kryeministri vendosi ta mbante vetë peshën e komunikimit me publikun dhe kjo është zgjedhja e tij, por tani duhet të mbajë edhe pasojat e saj. Para se ta vërë gishtin te media, si fajtore për trajtimin e ngjarjes, qeveria duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta për komunikimin në rast krizash. Në kësi rastesh, përveç shtabeve të emergjencës, ngrihen dhe qendra të medias, mbahen konferenca shtypi çdo orë, ku shteti furnizon në çdo kohë me informacionin që ka në dispozicion, median e nëpërmjet saj, popullatën. Kështu do të vepronte çdo qeveri që s'ka asgjë për të fshehur dhe që është sinqerisht e interesuar që të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësit të shkojnë para ligjit. Kjo nuk ndodhi, ndaj qeveria përballet tani me një mosbesim në rritje të qytetarëve ndaj veprimeve të saj, edhe kur ato bëhen me qëllimin më të mirë, siç është menaxhimi postkrizë i situatës, operacionet e shpëtim-kërkimit, koordinimi i ndihmës për të dëmtuarit apo rehabilitimi i zonës.

*Pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›