Turqia, lobing në Konferencën Islamike për pavarësinë e Kosovës
Kryeministri turk takohet me kreun e PS-së, Edi Rama dhe kryetaren e Kuvendit
TIRANË- Turqia është angazhuar për të lobuar në Konferencën Islamike për njohjen nga një numër vendesh të shtetit të pavarur të Kosovës. Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka informuar dje kreun e PS-së, Edi Rama lidhur me këtë angazhim të shtetit turk gjatë takimit që zhvilloi me të, ku Erdogan ka shprehur, ndër të tjera, besimin se së shpejti pavarësia e Kosovës do të njihet edhe nga shtetet e tjera. Një gjë e tillë bëhet e ditur në njoftimin e zyrës së shtypit të PS-së, ku thuhet se, Kryeministri Erdogan vlerësoi punën dhe ndryshimet që janë bërë në Tiranë, si dhe popullaritetin që zoti Rama gëzon në sajë të punës së tij të lavdërueshme, duke u zgjedhur në mandatin e tretë të Kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit. Ndërkohë, kreu i PS-së Rama vlerësoi vizitën e Kryeministrit Erdogan dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis Turqisë dhe Shqipërisë. Ai vlerësoi gjithashtu praninë e biznesit turk në Shqipëri, duke veçuar biznesin privat si një biznes cilësor që i përgjigjet stadit aktual të zhvillimit në Shqipëri. Gjithashtu, Edi Rama sugjeroi një prani më të madhe të investimeve turke në Kosovë. Ndërkohe, Turqia mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në samitin e Bukureshtit do të lobojë për marrjen e ftesës nga vendi ynë. Ky ka qenë premtimi që ka bërë kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan gjatë takimit që zhvilloi dje me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. "Mbështetja jonë për anëtarësimin e vendit tuaj në NATO do të jetë e plotë dhe e vazhdueshme dhe ju premtoj se do të lobojmë me të gjithë fuqinë tonë në Samitin e Bukureshtit për të mbështetur Shqipërinë në marrjen e ftesës për anëtarësim. Ne dëshirojmë që vendet e A3-shit ta marrin këtë ftesë", tha Erdogan.
Vizita, Erdogan takohet me Topin
TIRANË- Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan është pritur dje në një takim edhe nga Presidenti Bamir Topi, i cili ka falënderuar për ndihmën e vazhdueshme dhënë vendit tonë në proceset e tij integruese për në strukturat euro-atlantike si edhe për pozicionin e qartë e për njohjen e menjëhershme të shtetit të ri të Kosovës. Po ashtu, Presidenti Topi vlerësoi edhe bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë nga Turqia në fushën e mbrojtjes duke evidentuar rëndësinë e mbështetjes politike nga ana e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ku vendi ynë pret i sigurt ftesën nga Samiti i Bukureshtit. Presidenti Topi vuri në dukje edhe rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona çka ka bërë që Turqia të jetë një partner i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar si dhe nënvizoi mundësinë për gjetjen e hapësirave të reja në sektorë kyç si energjia, telekomunikacioni, turizmi, arsimi, shëndetësia, etj. Nga ana e tij, kryeministri Erdogan shprehu kënaqësinë që gjendet në një vend mik dhe vëlla, si dhe nënvizoi mbështetjen e plotë të Turqisë për integrimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, mbështetje e cila do të theksohet akoma edhe më tej gjatë Samitit të Bukureshtit.