“Me ty kaq pranë”, Altin Goci rikthehet në skenën e Fest 64: Nuk ka ChatGPT e AI që të zëvendësojë shpirtin artistik

“Me ty kaq pranë”, një nga krijimet më të bukura të kantautorit Altin Goci, u rikthye në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH gjatë Natës Nostalgjike. Kënga, e cila ishte pjesëmarrëse në Festivalin e 40-të të Këngës, u interpretua nga Lynx dhe Altin Goci, duke sjellë emocione të forta për publikun.
Altin Goci u shpreh se pjesëmarrja në Festivalin e Këngës është gjithmonë një kënaqësi e veçantë.
“Rikthehem pas 35 vitesh dhe vazhdoj të ndiej të njëjtin emocion. Falë RTSH-së dhe të gjithë artistëve, ky festival mbahet në lartësinë që i takon dhe i përket të gjithë shqiptarëve. Nuk ka ChatGPT e AI që të zëvendësojë shpirtin artistik”, tha Goci.
Kthimi i kësaj kënge në Fest 64 është një tjetër moment i veçantë i Natës Nostalgjike, duke rikujtuar krijimet që kanë lënë gjurmë në historinë e Festivalit të Këngës dhe duke rikthyer emocione të paharrueshme për publikun shqiptar.
/rtsh.al/