E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Duhet koalicion i gjerë opozitar për zgjedhjet në Tiranë. Kandidati, jashtë partive politike

Teksa Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet mbi ankimimin e Erion Veliajt për vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës, opozita vijon me diskutimet për gjetjen e një kandidati në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Në një lidhje me Skype në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se duhet të gjendet një figurë që të pranohet gjerësisht nga forcat politike parlamentare dhe joparlamentare.

“Kemi vendosur disa kritere, i pari është që të gjendet një koalicion sa më i gjer. Për të arritur këtë marrëveshje, ne duhet të kalojmë interesin e ngushtë politikë të një partie politike, apo ambicien e një individi. Të kërkojmë të gjejmë një figurë të pranuar gjerësisht nga të gjitha forcat e politike. Kriteri  tretë është që të gjitha forcat politike që bëhen pjesë e këtij diskutimi do propozojnë të gjithë kandidaturat e tyre dhe më pas do të vendosim kriteret përkatëse të kandidaturave që marrin më shumë mbështetje. Besoj që duhet të jetë një kandidaturë gjithëpërfshirëse, qytetare”, tha Mediu.

I pyetur nëse kandidati për Tiranën do të jetë apo një figurë politike, Mediu ndau bindjen se do të ishte më mirë të shikohej jashtë partive politike. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që kandidati të vijë nga politika në rast se do të gëzojë mbështetjen e të gjitha palëve.

“Jo brenda partive politike, por propozuar nga partitë politike. Mendoj se një kandidat i pranueshëm është kur ka më pak qasje apo njehsohet me një parti politike sepse paragjykimet në opozitë janë rreth partive politike dhe për të shmangur këtë kemi dalë jashtë idesë që duhet të jetë nga një parti politike. Megjithatë nuk përjashtohet që nëse një figurë e një partie politike është e pranueshme nga të gjitha palët, pse jo. Por unë kam bindjen që të shikojmë jashtë partive politike, ku secili subjekt të propozojë kandidaturat që ata mendojnë që janë përfaqësuese”, theksoi ai.

Ndalur te debatet në Kuvend, Mediu akuzoi mazhorancën socialiste për shkelje të rregullores dhe veprime në kundërshtim me Kushtetutën.

“Nuk respektohet rregullorja e Kuvendit, nuk respektohet Kushtetuta. Debati dje ishte për faktin se na u paraqit një program pune i cili, sipas rregullores, duhej të kishte komisionet përkatëse që e shqyrtonin dhe datat përkatëse, gjë që nuk ndodhi sipas rregullores dhe ndaj e kundërshtuam. Është në vijim të disa debateve më parë siç ishte ndryshimi i rregullores në mënyrë antikushtetuese dhe veprimet antiligjore të kryeministrit gjatë seancës së prezantimit të qeverisë ku për herë të parë qytetarëve iu mohua e drejta për të dëgjuar programin, për të njohur se kush janë ministrat dhe për të ndjekur debatin rreth programit qeverisës. Qeveria e këtij vendi nuk është e interesuar që të ketë parlamentarizëm, debat. Ka tendencën për të kontrolluar çdo institucion dhe ne nuk jemi më një republikë parlamentare, por republikë kryeministrore”, deklaroi Mediu.

Ankimimi i Veliajt pezullon shkarkimin e tij dhe ngrin procesin e përcaktimit të një date për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës, deri në shprehjen e Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›