E Martë, 3 Nëntor 2026

Meloni: Nuk mund të ndërtojmë Europën e re në një botë të re pa Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në fjalën e saj në seancën e parë plenare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë falënderoi Kryeministrin Edi Rama për mikpritjen e bukur të Samitit, por shtoi ajo “edhe për faktin që më ka bërë të ndjehem shumë të re sërish me atë video që u shfaq tek momenti i parë”.

Meloni gjithashtu uroi kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet e 11 majit.

“Dëshiroj gjithashtu të uroj Edin edhe për rizgjedhjen e tij tërësisht të papritur si udhëheqës i qeverisë së Shqipërisë. Jam e kënaqur që Europa do të mund të mbështetet pikërisht tek këmbëngulja dhe vendosmëria e tij”, tha Meloni.

“Shqipëria organizon Komunitetin Politik Europian për herë të parë dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për të gjithë ne. Unë gjithmonë e kam menduar që identiteti europian i Shqipërisë është fakt nga historia edhe përpara gjeografisë. Koncepti, përkufizimi që ne mund të kuptojmë pikërisht nga ajo që ka ndodhur. Shqipëria është sigurisht Europë, ashtu si Italia, apo Serbia apo Norvegjia, pavarësisht faktit nëse je pjesë e një organizate të caktuar apo jo. Dhe për këtë arsye gjithmonë buzëqesh kur dikush përpiqet që të pretendojë që të vendosë se kush është europian dhe kush nuk është”, theksoi Meloni.

“Pra të gjitha ato vende, shtete që janë përreth kësaj tryeze sot. Disa prej tyre kanë vendosur të mos bëhen shtete anëtare të BE-së, disa të tjera aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së dhe të gjitha janë po aq europiane sa të 27 shtetet anëtare të BE-së. E megjithatë BE është sot pikërisht ajo që unë do të dëshiroja ta quaja dëshira e ribashkimit e familjes së ribashkuar europiane, ku të gjithë janë pjesë e një të vetmeje, ashtu si dhe gishtat e një dore. Pra popuj që kanë luftuar njëri-tjetrin për shekuj sot në realitet janë një popull i vetëm”, tha Meloni.

Për këtë arsye, shtoi ajo, “fakti që ne jemi këtu sot do të thotë që ne po ndërmarrim një hap përpara në këtë proces të rëndësishëm dhe historik të ribashkimit të Europës, sepse në rast se dëshirojmë të ndërtojmë Europën e re në një botë të re, nuk mund ta bëjmë atë pa Ballkanin Perëndimor, pa këta popuj, pa këto shtete, pa këto vende sepse janë pikërisht këto popuj që janë pjesë e gishtave të kësaj dore sepse janë pikërisht pjesë e saj, janë zemra e saj, janë ura ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Ajo që Papa Gjon Pali i II-të ka thënë pikërisht që janë zemra e Europës”.

Për këtë arsye, shtoi Meloni, “Italia është e angazhuar në Bruksel për qasjen strategjike të Brukselit për Ballkanin Perëndimor, pavarësisht sfidave me të cilat përballet rajoni, por që gjithsesi këto vende duhet të kenë një perspektivë të qartë për anëtarësimin në BE”.

Sigurisht, nënvizoi kryeministrja e Italisë, “zgjerimi do të thotë edhe sfida të reja, por unë jam e bindur që integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe integrimi i vendeve të tjera në lindje është vetëm për të mirën e sigurisë së Europës, për më tepër duke patur parasysh se ҫfarë po ndodh në kufijtë tanë”.

“Ne jetojmë në një botë tejet të ndërlidhur. Fatet tona ndërvaren nga fatet e popujve të tjerë. Ajo që ndodh në kufijtë lindor të Europës është e lidhur me ҫka ndodh në kufirin e Mesdheut si dhe e kundërta”, tha Meloni.

“Plaga që ka sjellë lufta e agresionit rus në Ukrainë dhe plaga që i ka shkaktuar rendit botëror vazhdon që të sjellë efekte destabilizuese përtej kufijve të caktuar dhe sjell edhe efektin domino që mund të sjellë edhe ҫarje të tjera, apo kriza të tjera. Ne kemi qenë dëshmitarë të kësaj në Lindjen e Mesme, por jo vetëm”, theksoi Meloni.

Për këtë arsye, shtoi ajo, “ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës dhe do të bëjmë të pamundurën që kjo luftë të marrë fund menjëherë sepse siguria dhe liria jonë varen pikërisht nga restaurimi i forcës së ligjit dhe jo nga ai që mendon që është më i fortë. Mendoj që liria e Europës dhe nuk ka gjë më europianë sesa një popull dhe njerëz që dëshirojnë të vënë gjithçka në rrezik për lirinë e tyre. Sepse ҫdo ditë heroizmi dhe qëndresa e ukrainasve na kujton se ҫfarë është vetë Europa dhe se ҫfarë është identiteti ynë, themeli i identitetit tonë të përbashkët që është liria”.

Duke iu drejtuar presidentit të Ukrainës, Zelensky, Meloni tha se, “ne duam lirinë. Volodymyr, ne duam lirinë tuaj siҫ e do populli juaj i Ukrainës dhe ne e pamë këtë edhe dje sepse pamë që ju ishit të gatshëm të uleshit në tryezën e negociatave dhe kjo tregoi se kush bën propagandë për paqe dhe kush është i vërtetë. Por ajo që ndodhi dje mund të jetë një hap pas, por ne duhet të kemi vendosmërinë për të arritur më në fund një armëpushim pa kushte, me garanci serioze për sigurinë e Ukrainës dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për ta arritur këtë objektiv”.

“Të dashur kolegë, jam shumë dakord me shumë nga gjërat që tha Edi në fjalimin e tij, por të ndërtosh një Europë të re në një botë të re, ashtu siҫ avokohet nga kjo seancë plenare, për mendimin tim do të thotë që përpara se të flasim për ato që duhet të bëjmë duhet të mendojmë edhe njëherë se cilat janë themelet tona dhe të reflektojmë për atë se kush jemi. Askush prej nesh nuk ka interes për të fuqizuar ndonjë formë të bashkimit brenda për brenda shteteve të BE-së dhe ne e dimë se ҫfarë duam të jemi dhe se ҫfarë duam të bëjmë në të ardhmen, në këtë botë që po ndryshon kaq shpejt. Sepse ndonjëherë në rast se Europa tregon që nuk ka mundësi që të përballet me sfidat e reja atëherë nuk është faji i askujt, por është ën fakt faji dhe përgjegjësia jonë. Pra ne e kemi në dorë për të vendosur nëse do të shikojmë rënien apo do të luftojmë për më të mirën e saj. Dhe në rast se do të lufotjmë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për atë që jemi, se ҫfarë është qytetërimi europian, se cilat janë arritjet e këtij qytetërimi europian dhe ҫfarë i ka sjellë njerëzimit. Përmbledhja pikërisht e filozofisë greke e të drejtës romake, e humanizmit e iluminizmit që e ka lejuar qytetërimin europian që të krijojë një botë ku qytetari është në qendër të saj dhe qeniet njerëzore janë të lira dhe të barabarta, një qytetërim që respekton identitetin e të tjerëve pa mohuar të vetin dhe që ndërton paqe aty ku të tjerët mund të duan shkatërrim. Pra ne jemi paqja, ne mbi gjithçka tjetër jemi pikërisht kjo gjë. Dhe unë mendoj që së pari nuk duhet ta harrojmë këtë çdo ditë, për atë Europë që ne duam të ndërtojmë, pra për atë Europë që na ka lënë historia”, përfundoi kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›