E Martë, 3 Nëntor 2026

Ursula von der Leyen: Në Tiranë për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh se, se ndryshimet e tanishme janë historike, ndërsa e cilësoi Samitin e Komunitetit Politik Europian që mbahet në Tiranë, të rëndësishëm për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët.

“Kur ra muri në vitin 1990, u shpall se ishte fundi i historisë dhe na mori mendja se liria ekonomike dhe politike do të shkriheshin bashkë dhe kjo do të bashkonte njerëzit. Sot jemi këtu dhe historia është kthyer. Ajo që perceptuam si rend botëror po kthehet si çrregullim botëror i nxitur nga qëllimet imperialiste të Putin. Sot Evropa është zgjuar, i ka sytë hapur, dhe neve na duhet të ndërtojmë këtë qëndresë tonën dhe të partneriteteve që kemi në mbarë botën”, tha ajo.

Von der Leyen, theksoi se, tashmë kemi mësuar të gjithë se kur ka kriza të mëdha, Evropa është ajo që i jep përgjigje të mëdha. Lufta kundër pandemisë, klimës, luftërat e Rusisë janë kriza që na kanë sfiduar por Evropa ka dalë më e bashkuar dhe është bashkuar më shumë në këtë pikë kthese të historisë”.

“Europa ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e saj ndaj Ukrainës”, tha ajo.

“Nuk duhet të harrojmë se kjo është arsyeja se edhe komuniteti politik është krijuar për të mbështetur Ukrainën ndaj agresionit rus dhe për të sjellë paqe në kontinent, teksa Rusia e ka lënë Europën. Fakti që jemi të ulur me ju Zelensky është provë e bashkimit tonë të çeliktë, për të ruajtur sovranitetin e Ukrainës dhe për të gjetur një rrugë drejt një marrëveshje paqjeje”, u shpreh Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo tha se, “gjatë rrugës shumica e anëtarëve të KPE-së kanë mbështetur sanksionet ndaj Rusisë. Ato po japin efekt. Të ardhurat e naftës dhe gazit në Rusi, janë ulur me 15% se përpara luftës ndërkohë që deficiti po rritet dhe inflacioni është në rritje mbi 10%. Ne jemi gati të bëjmë më shumë për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave me Ukrainën. Kjo luftë duhet të përfundojë”.

Von der Leyen, nënvizoi se, “për të qenë të qartë ne duam paqe”, ndërsa bëri të ditur se po punohet për grupin tjetër të sanksioneve ku bëjnë pjesë sanksione ndaj Nord Stream 1 dhe 2, gjithashtu ulja e tavanit të çmimit të naftës.

“Jemi mbledhur në Tiranë për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët, të ardhmen e Europës në një epokë begatie të përbashkët. Nëse ia dalim të ndërtojmë me sukses këtë mirëqënie, ky është nxitësi për ndërtimin e paqes. Begatia e prosperiteti i përbashkët. Për ta bërë këtë ndërlidhja duhet të jetë në krye të agjendës tonë dhe po e bëjmë këtë përmes instrumentit të Ukrainës, planit të rritjes për BP dhe së shpejti nisim një strategji të përkushtuar të BE-së për Detin e Zi, agjenda që ndërlidh Europën me Azinë Qendrore”, u shpreh Von der Leyen. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›