Mësuesi i shkollës “Qamil Metalia” në Has, fitues i çmimit ndërkombëtar për entuziastët e Scientix

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Mësuesi i lëndës Histori-Gjeografi në shkollën “Qamil Metalia” në Has, Mentor Kovaçi është shpallur fitues i çmimit për Entuziastët e Scientix, në kuadër të fushatës evropiane STEM 2025, duke marrë një vlerësim ndërkombëtar.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se ky vlerësim vjen si rezultat i 34 aktiviteteve, që lidhin dijen me praktikën, shkencën me kuriozitetin, shkollën me nxënësit.
“Bashkë me dy nxënësit e tij, Endrin dhe Mikaelin, mësues Mentori ka treguar se mësimdhënia nuk është vetëm profesion, por dhe një mision për ta kthyer shkollën në motor të ndryshimeve pozitive, jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë komunitetin e Hasit”, u shpreh Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.
Dy nxënësit e kësaj shkolle, thanë gjatë podkastit të zhvilluar në laboratorin EduLab, se idetë e tyre inovative i kanë ndihmuar ata që të zhvillohen në aspektin e dijeve personale, por duke i shtuar vlera edhe shkollës “Qamil Metalia”.
Gjithashtu, mësuesi Mentor Kovaçi tha se që nga viti 2018, shkolla ka marrë pjesë në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare për të zhvilluar mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve.
“Projekte tona i regjistruam në platforma të ndryshme evropiane, për të cilat më pas kemi marrë certifikata cilësie kombëtare dhe ndërkombëtare që vlerësohen nga BE-ja”, tha ai.
Fushata e STEM 2025, u zhvillua nga 1 shkurti deri më 30 prill 2025, si një bashkëpunim i projektit Scientix me NBS EduWORLD. Në të morën pjesë në mënyrë aktive edukatorë, organizata, shkolla, universitete dhe qendra rinore nga 50 shtete, me mbi 800 000 pjesëmarrës, ndër ta 140 000 mësues dhe 600 000 nxënës.
/e.i/j.p/