Meta thirrje simpatizantëve të PL-së: Protesta paqësore para SPAK

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar me urdhër të SPAK, pasi akuzohet për tre vepra penale, u ka bërë thirrje nga burgu simpatizantëve të tij që të protestojnë para Prokurorisë së Posaçme.
Nëpërmjet një letre, e cila u bë publike për mediat, nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, Meta u ka kërkuar anëtarëve, simpatizantëve dhe Kryesisë së Partisë së Lirisë që të nisin protestat paqësore periodike para SPAK.
Sipas Metës protestat do të zhvillohen për të denoncuar të gjitha manipulimet skandaloze të SPAK në dosjen kundër tij dhe për të denoncuar aferat skandaloze të Edi Ramës që SPAK nuk i heton.
Letra vjen një ditë pasi Apeli i GJKKO-së vendosi ta lërë në burg Metën, i cili u arrestua më 21 tetor, nën dyshimet për disa vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.
/a.f/