Metani: Pavarësia dhe llogaridhënia e magjistratëve, sfidë kyçe për shtetin e së drejtës

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, deklaroi se ruajtja e ekuilibrit mes pavarësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve mbetet një ndër sfidat më të mëdha për sistemin e drejtësisë dhe për vetë funksionimin demokratik të shtetit.
Në fjalën e tij në konferencën rajonale me ekspertë dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë nga vendet e rajonit, Metani theksoi se forcimi i pavarësisë dhe llogaridhënies, është thelbësor për garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe ndërtimin e një drejtësie që gëzon besimin e publikut.
“Forcimi i shtetit të së drejtës, prioritet i përbashkët. Sot të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie dhe rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së organeve të drejtësisë.
Sa më i përgjegjshëm dhe i pavarur është magjistrati, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta dhe aq më demokratikisht ecën shoqëria. Përveç standardit në sistemin funksional llogaridhënës të magjistratëve e bëjnë drejtësinë më eficente.
Gjetja e balancës mes interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe pavarësisë së magjistratëve nga ana tjetër, mbetet sfidë permanente sepse pavarësia dhe përgjegjshmëria e magjistratëve janë vlera dinamike. Raporti pavarësi-përgjegjshmëri, sfidë profesionale e institucionale”, deklaroi Metani.
Metani theksoi se reforma në drejtësi ka krijuar një arkitekturë të re institucionale, ku ILD ka marrë një rol qendror në verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe fillimin e procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, në bashkëpunim me KLGJ, KLP dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
Në përfundim, Metani theksoi se rezultatet konkrete të reformës në drejtësi janë tregues i rëndësishëm për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, ndaj sikurse theksoi ai, zbatimi i kësaj reforme mbetet prioritet kombëtar.
“Të gjejmë rrugën e duhur për të vendosur një komunikim profesional e institucional për të bashkëpunuar e identifikuar mundësitë e shkëmbimit të përvojave.
Konsolidimi i shtetit të së drejtës nuk është proces i lehtë, por dinamik. Sfida e zhvillimit të kësaj reforme është përgjegjësi së pari e aktorëve të drejtësi, e më pas e institucioneve e pushteteve të tjera. Zbatimi i kësaj reforme nuk është proces i lehtë por as i pamundur dhe rezultatet e saj janë indikator i rëndësishëm për procesin e integrimit në BE”, përfundoi ai.
/rtsh.al/