Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takim me Kaja Kallas

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas në Nju York, ku ndodhen në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Me anë të një postimi, Osmani bënë me dije se kanë diskutuar për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon.
Presidentja Osmani, thekson nevojën për të hequr masat e BE-së ndaj Kosovës, të cilat i cilëson si të padrejta. Sipas saj, këto masa të padrejta po dëmtojnë qytetarët e Kosovës.
“Në New York, takova përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, me të cilën diskutuam mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon. Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim. Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë.”, shkruan Osmani.
/rtsh.al/