E Diel, 1 Nëntor 2026

Milano-Cortina 2026, Denni Xhepa garon në sllallomin gjigant

TIRANË, 14 shkurt /ATSh/ 22-vjeçari Denni Xhepa e mbylli garimin e tij në disiplinën e sllallomit gjigant në Skitë Alpine në Lojërat Olimpike Dimërore të Milano Cortina. Ai u rendit në vendin e 34-t në këtë disiplinë, ku në total morën pjesë 81 skiatorë.

Skiatori kuqezi, që merr pjesë për herë të dytë në një kompeticion si Lojërat Olimpike Dimërore, e përshkoi pistën me kohën 2 minuta 35 sekonda e 91 të qindtat.

Në zbritjen e parë, Denni Xhepa, për shkak edhe të gabimeve në pjesë të pistës shënoi një kohë me 1 minutë 20 sekonda e 57 të qintat duke u renditur në vendin e 36-të. Në zbritjen e dytë skiatori shqiptar bëri një paraqitje më të mirë duke regjistruar kohën 1 minutë 15 sekonda e 34 të qindtat për të arritur kohën totale 2:35:91.

Për sa i përket rezultatit përfundimtar të kësaj gare, braziliani Lucas Pinheiro Braathen bëri befasinë duke i dhuruar medaljen e parë të artë Brazilit duke e fituar sllallomin gjigant me kohën 2 minuta e 25 sekonda.

Ai la pas favoritin kryesor, zviceranin Marco Odermatt që u detyrua të kënaqej me medaljen e argjendtë me 58 të qindtat më shumë, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi zvicerani tjetër Loic Meillard.

Denni Xhepa do të kthehet të garojë në 16 shkurt në disiplinën e Sllallomit, ndërkohë që e diela do të jetë dita e vajzave kuqezi që do të garojnë në Sllallomin gjigant, ku pa dyshim vëmendja më e madhe do të jetë te Lara Colturi, që në renditjen e përgjithshme është në dhjetëshen më të mirë të botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›