“Milano Cortina 2026”, Lara Colturi kualifikohet në finalen e Sllallomit me kohën e shtatë më të mirë

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Skiatorja kuqezi, Lara Colturi, u kualifikua sot për në lëshimin e dytë dhe finalen e disiplinës së Sllallomit në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”, duke regjistruar kohën e shtatë më të shpejtë në lëshimin e parë.
Colturi ishte ndër të parat që zbriti në pistën e Kortinës, në garën e fundit olimpike për përfaqësuesen shqiptare, duke konfirmuar pretendimet për një rezultat të mirë në disiplinën e saj më të preferuar.
Me këtë rezultat, skiatorja shqiptare siguron një pozicion të favorshëm për lëshimin e dytë, i cili do të zhvillohet në orën 13:30, duke mbetur në garë për vendet e para.
Sllallomi konsiderohet si disiplina më e fortë e Colturi-t, e cila në Kupën e Botës ka regjistruar katër podiume, dy vende të dyta dhe dy të treta, duke e renditur mes pretendenteve për medalje edhe në këtë aktivitet olimpik.
Ndërkohë, dy sportistet e tjera kuqezi, Semire Dauti dhe Lisa Brunga, do të zhvillojnë lëshimet e tyre më pas.
Për to, pjesëmarrja në këtë Olimpiadë përfaqëson mbi të gjitha një eksperiencë të vlefshme ndërkombëtare, duke qenë se janë vetëm 17 dhe 18 vjeçe, me pritshmëri premtuese për të ardhmen.
/gj.m/r.e/a.f/
