E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministrat Gonxhja dhe Salla në Dëgjesën Jubilare të papa Leone XIV në Vatikan, takojnë Atin e Shenjtë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë në Dëgjesën Jubilare të Papa Leone XIV, e cila u zhvillua në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku mijëra besimtarë nga e gjithë bota ishin prezentë.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja bën të ditur se shprehu falënderimet e tij për Atin e Shenjtë për vëmendjen ndaj vlerave të kulturës shqiptare dhe për ftesën speciale të Selisë së Shenjtë, që mundësoi jo vetëm një takim të përzemërt, por edhe një përshëndetje të veçantë me grupin e përfaqësuesve të komunitetit arbëresh në kuadër të Ditës Kulturore të Arbëreshëve në Romë.

“Në Dëgjesën Jubilare të Papa Leone XIV, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, ku përveç nderit të jashtëzakonshëm për ta dëgjuar nga afër Atin e Shenjtë përpara mijëra besimtarëve nga e gjithë bota, pata kënaqësinë ta falenderoj për vëmendjen ndaj vlerave të kulturës shqiptare dhe ftesës speciale të Selisë së Shenjtë për të na mundësuar jo vetëm takimin e përzemërt por edhe një përshëndetje të Tij me grupin e përfaqësuesve të komunitetit arbëresh, në vijim të Ditës Kulturore të Arbëreshëve, në Romë! Mesazhi i Tij për solidaritet dhe shpresë mbushi zemrat e pelegrinëve prezent dhe gjithë audiencës botërore!” shkruan ministri.

Ministri Salla pritet në Audiencë Jubiliare nga Papa Leone XIV në Vatikan

Edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë në Audiencën Jubilare të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, ku pati nderin të takonte Shenjtërinë e Tij, Papa Leone XIV.

Gjatë takimit u nënvizuan vlera universale që promovojnë mirëkuptimin ndërmjet popujve.Ministri theksoi se mesazhi i Papa Leone XIV për mirëkuptim dhe bashkëpunim është veçanërisht domethënës në një periudhë sfidash globale.

“Fjalët e Shenjtërisë së Tij janë një thirrje e fortë për më shumë dritë, besim dhe dialog mes kombeve. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten ura lidhëse mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë”, deklaroi ministri Salla.

Ministri Salla shprehu mirënjohjen e tij për vëmendjen që Selia e Shenjtë i kushton vlerave të kulturës shqiptare, si dhe për ftesënqë mundësoi jo vetëm takimin e përzemërt, por edhe përshëndetjen e Papa Leone XIV me grupin përfaqësues të komunitetit arbëresh, në vijim të Ditës Kulturore të Arbëreshëve në Romë.

Pjesëmarrja në ceremoninë jubiliare nënvizon angazhimin e Shqipërisë për të vijuar forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me Selinë e Shenjtë, duke promovuar vlera që i shërbejnë paqes dhe solidaritetit ndërkombëtar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›