Ministri Ferit Hoxha takon Presidentin e Senatit të Rumanisë në Bukuresht

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha u takua me Presidentin e Senatit të Rumanisë, Mircea Abrudean, gjatë vizitës së tij në Bukuresht. Në qendër të bisedimeve ishte mbështetja e Rumanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe forcimi i bashkëpunimit institucional.
Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet miqësore dhe partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Rumanisë, si dhe angazhimi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Hoxha dhe Abrudean vlerësuan rolin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe diplomacisë parlamentare në afrimin e dy vendeve.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mbështetjes së Rumanisë për këtë proces dhe përvojës së saj si vend anëtar i BE-së.
“Diskutuam gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e së ardhmes sonë të përbashkët evropiane”, shkroi Hoxha në rrjetin social X pas takimit.