E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Hoxha vizitë zyrtare në Kosovë

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka mbërritur në Prishtinë ku do të zhvillojë gjatë ditës së sotme disa takime me krerët më të lartë të shtetit.

Në orën 10:00, ministri Hoxha do të takohet me Albulena Haxhiun, ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

Në orën 10:45, Hoxha do të pritet nga kryeministri Albin Kurti.

Vizita zyrtare e Ministrit do të vijojë me pritjen nga Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i Parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës.

Rreth orës 12:10, të dy ministrat do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të MEPJ.

Ministri i Jashtëm do të takohet gjithashtu me drejtues dhe përfaqësues të partive politike në Kosovë, mes të cilëve Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës; Ardian Gjini, kryetar i Partisë Aleanca, Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Hoxha do të zhvillojë edhe një takim në Bazën e KFOR-it me gjeneralmajor Ozkan Ulutash, komandant i KFOR-it, si dhe me pjesëtarët e kontingjentit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të angazhuar në kuadër të misionit të KFOR-it.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›