Ministri Salla mbledh shtabin në Lezhë: Situata nën kontroll, mbështetje për të prekurit

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, zhvilloi një takim urgjent me Shtabin e Emergjencave Civile, ku në fokus të analizës ishte gjendja e krijuar nga reshjet e dendura, veçanërisht në bashkitë Lezhë dhe Kurbin.
Në tryezën e diskutimit morën pjesë drejtuesit e strukturave vendore dhe përfaqësues të të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi ligjore për menaxhimin e emergjencave civile. Qëllimi i takimit ishte koordinimi i ndërhyrjeve në pikat më kritike dhe menaxhimii i rrjedhës së ujërave.
Garantimi i mbështetjes
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes, Ministri Salla vlerësoi se pavarësisht reshjeve, menaxhimi i deritanishëm ka bërë që situata të jetë nën kontroll të plotë.
Pika më e rëndësishme e deklaratës së tij lidhej me mbështetjen financiare dhe logjistike për qytetarët.
“Qeveria do të jetë pranë çdo banori. Do të ofrojmë mbështetje të plotë për të gjithë ata që janë prekur nga pasojat e përmbytjeve,” theksoi ministri.
Sipas kreut të Bujqësisë, gatishmëria mbetet maksimale. Strukturat përkatëse, përfshirë ato të bordit të kullimit dhe emergjencave, vijojnë të jenë në terren 24 orë.
Ato po monitorojnë situatën për të bërë të mundur ndërhyrjen e menjëhershme në rast të përkeqësimit të motit apo rritjes së nivelit të ujërave në kanale dhe lumenj.
/rtsh.al/