Ministri i Jashtëm Izraelit thotë se po ndërpret kontaktin me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka njoftuar ndërprerjen e “të gjitha kontakteve” me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pas komenteve që sipas tij e krahasojnë Izraelin me regjimin e aparteidit në Afrikën e Jugut.
Saar e akuzoi Kallasin për “obsesion dhe padrejtësi të hapur ndaj Izraelit”, duke iu referuar një raporti të publikuar nga Euractiv mbi vizitën e saj në Meksikë.
Kallas reagoi duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe duke nënvizuar se BE-ja mbetet e përkushtuar për një marrëdhënie konstruktive me Izraelin.
Ajo përsëriti se “Zgjidhja me Dy Shtete” është rruga e vetme e zbatueshme për paqen në Lindjen e Mesme dhe se vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor e vështirësojnë këtë proces.
Bashkimi Evropian ka kritikuar vazhdimisht zgjerimin e vendbanimeve hebraike dhe ka vendosur sanksione ndaj individëve e subjekteve që akuzohen për shkelje të të drejtave të palestinezëve. Ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së mbeten të ndara në qëndrimet e tyre ndaj Izraelit, mes kritikave të forta dhe lidhjeve të ngushta diplomatike.
Kjo përplasje diplomatike vjen në një kohë kur tensionet mbi konfliktin izraelito-palestinez dhe luftën në Gaza mbeten të larta, duke e bërë marrëdhënien BE–Izrael edhe më të ndjeshme.
/rtsh.al/