Ministria e Financave ligj të ri për kontabilitetin në sektorin publik, rrit transparencën

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për Kontabilitetin në Sektorin Publik”, një nismë që synon krijimin e një kuadri të unifikuar ligjor për mënyrën e mbajtjes së kontabilitetit dhe raportimit financiar në institucionet publike.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se ky projektligj përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit të financave publike dhe forcimit të besimit te institucionet.
“Ky ligj do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në administrimin e financave publike, do të përmirësojë cilësinë e raportimit financiar sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, si dhe do të forcojë kontrollin e brendshëm”, u shpreh Malaj.
Sipas tij, projektligji krijon për herë të parë një bazë ligjore të unifikuar për kontabilitetin në të gjithë sektorin publik, duke synuar harmonizimin me praktikat ndërkombëtare dhe përmirësimin e cilësisë së pasqyrave financiare.
Referuar relacionit që shoqëron këtë pr/ligj, nisma parashikon standardizimin e procedurave të raportimit financiar, përcaktimin e qartë të përgjegjësive institucionale, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe përmirësimin e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe institucioneve buxhetore.
Projektligji synon gjithashtu përafrimin e mëtejshëm me praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e kontabilitetit publik, përmes zbatimit të standardeve të kontabilitetit të sektorit publik dhe rritjes së krahasueshmërisë së informacionit financiar.
Ministria e Financave vlerëson se raportimi financiar i saktë dhe transparent do të ndikojë në rritjen e besimit të investitorëve vendas dhe të huaj, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe përdorimin më efikas të fondeve publike.
Projektligji do të jetë pjesë e procesit të konsultimit publik përpara miratimit të mëtejshëm.
/e.xh/j.p/