E Diel, 1 Nëntor 2026

Miti: 1030 punonjës të OSSH në terren për garantimin e furnizimit me energji gjatë sezonit turistik

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike në zonat turistike gjatë sezonit veror.

Koordinatori në OSSH, Llambi Miti, në një komunikim me mediet sot bëri të ditur se masat e ndërmarra synojnë përballimin e rritjes së kërkesës për energji gjatë periudhës turistike dhe garantimin e reagimit të shpejtë ndaj problematikave në rrjet.

“Për mbarëvajtjen e sezonit turistik kemi angazhuar 1030 punonjës, të organizuar në 130 grupe pune, si dhe 86 automjete operacionale që do të jenë në gatishmëri për ndërhyrje në terren”, deklaroi Miti.

Sipas tij, paralelisht me organizimin operacional janë kryer edhe investime në rrjetin e shpërndarjes, ku përfshihen 136 nënstacione, 126 kabina, 708 kilometra linja 35 kV, 120,15 kilometra linja TM dhe 48,3 kilometra linja TU.

“Fokusi ynë është tek zonat turistike me ngarkesë të lartë, ku kemi realizuar ndërhyrje për fuqizimin e rrjetit dhe rritjen e sigurisë së furnizimit”, u shpreh koordinatori i OSSH-së.

Në zonën e veriut janë kryer remontime të linjave 35 kV, modernizim i nënstacioneve, ndërtimi i NST Velipoja e Re dhe instalimi i fiderave të rinj 20 kV. Në zonën jugperëndimore janë përforcuar nënstacionet, është realizuar dublimi i urave kabllore në NST Palasë dhe janë kryer testime të transformatorëve në nënstacionet Sarandë e Re, Palasë, Vlorë 1 dhe Vlorë 2.

Ndërkohë, në zonën qendrore janë realizuar remonte në nënstacionet bregdetare Shkozet, Sallmone, Gjiri i Lalëzit, Golem, Kavajë dhe Ballaj, si dhe është garantuar gatishmëria e grupeve të ndërhyrjes dhe bazave materiale për raste emergjente.

Miti bëri të ditur se investime janë kryer edhe sipas rajoneve në rrjetin e tensionit të mesëm dhe të ulët, duke përfshirë rikonstruksione rrjeti, modernizime kabinash, ndërtim fiderash të rinj dhe fuqizim të transformatorëve.

Në Shkodër janë realizuar ndërhyrje në rrjetin 20 kV në Velipojë dhe Shëngjin, me tre fidera të rinj, ndërsa në Durrës është vijuar me modernizimin e kabinave, implementimin e matësave SMART dhe kalimin e Spillesë në 10 kV.

Në Vlorë janë kryer investime në Orikum, Himarë dhe Palasë, me fidera dhe rrjet të ri 20 kV, ndërsa në Gjirokastër është modernizuar infrastruktura energjetike me kabina të reja, transformatorë me fuqi të shtuar dhe NST Mobile në Borsh.

“Masat tona kanë si qëllim që qytetarët, bizneset dhe turistët të kenë një furnizim sa më të sigurt dhe cilësor me energji elektrike gjatë gjithë sezonit turistik”, përfundoi Miti.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›