E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni në Orosh të Pukës, identifikohen dy personat e ngujuar, policia sjell vëllain e njërit prej tyre për negociata

Operacioni i rrezikshëm në fshatin Orosh të Pukës ka hyrë në orën e tij të pestë, ndërsa forcat speciale RENEA dhe policia lokale vazhdojnë të mbajnë të rrethuar një banesë të braktisur ku janë ngujuar dy persona të armatosur rëndë.

Sipas gazetarit të RTSH 24, situata paraqitet kritike, ndërsa burime nga vendngjarja kanë konfirmuar tashmë identitetin e personit të dytë që ndodhet në banesë.

Gazetari i RTSH 24, Elvis Hila, bën të ditur se policia ka identifikuar dy personat e dyshuar si:

  1. Juljan Cumrraku
  2. Arben Uka, i njohur ndryshe me emrin Hamza Uka.

Policia luan “kartën” e negociatave. Vjen vëllai i Cumrrakut

Pasi thirrjet me megafon për dorëzim nuk kanë dhënë asnjë rezultat për orë të tëra, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një hap tjetër për të zgjidhur situatën pa gjakderdhje.

Në perimetrin e sigurisë është sjellë vëllai i Juljan Cumrrakut. Ai pritet të komunikojë me të vëllanë dhe shokun e tij, për t’i bindur ata të ulin armët dhe t’i dorëzohen autoriteteve.

Forcat RENEA vijojnë të jenë në pozicione snajperike dhe taktike rreth banesës së braktisur, duke pritur rezultatin e negociatave familjare përpara se të marrin ndonjë vendim për ndërhyrje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›