E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohen projektligjet për Lojërat Olimpike Speciale dhe ndryshimet në ligjin për sportin

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, u zhvillua një tjetër seancë dëgjimore me drejtuesin e organizatës “Special Olympics Albania”, Roland Hysi, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Sportin”.

Hysi tha se prej vitit 2020 po bëhet një përpjekje intensive për të kaluar këtë ligj, që sipas tij nuk bëhet fjalë për thjesht një organizatë, por për një lëvizje sportive që është më e madhja në botë për personat me aftësi të kufizuara intelektuale.

“Ne kërkojmë nga ky komision që ta shoh projektligjin si një të mirë që i nevojitet Shqipërisë dhe jo thjesht si një organizatë çfarëdo apo një lëvizje që mund të jetë paralele e një organizate tjetër. Special Olympics është e shtrirë në 190 vende të botës, ndërsa programi aplikohet në mbi 30 mijë shkolla në botë dhe ky do të ishte një revolucion për arsimin shqiptar”, tha Hysi.

Drejtuesi i organizatës “Special Olympics Albania” kërkoi që seancat dëgjimore të jenë më të shpeshta, me qëllim që kjo lëvizje sportive të vihet në funksion të një arsimi gjithëpërfshirës.

“Special Olympics ka një buxhet prej 10 mijë e 500 dollarësh në vit dhe kjo shifër është një shifër pamundur për të menaxhuar gjithë pagesat”, vijoi Hysi.

Gjithashtu, në punimet e ditës së sotme të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u shqyrtua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.79/2017, “Për sportin”, i ndryshuar”.

Zëvendësministri i ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha,

tha se projektligji për sportin ka për qëllim rritjen efikasitetit të zbatueshmërisë së këtij ligji për disa ndryshime, zgjerimin e formës së organizimit të disa organizatave sportive, sigurimin e integrimit të gjithë veprimtarisë së sportit olimpik special për fëmijë e të rritur me aftësi të kufizuara fizike dhe intelektuale në Shqipëri.

“Ky projektligj ka për qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor në fushën e sportit dhe nëpërmjet tij do të krijojmë kushte të përshtatshme për rritjen e efikasitetin e transparencës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në sport si edhe do të synojë gjithëpërfshirjen e veprimtarisë sportive olimpike speciale për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara fizike dhe intelektuale”, u shpreh Hoxha.

Zv/ministri i MAS shtoi se me miratimin e këtij projektligji synohet zgjerimi i formës së organizimit të organizatave sportive në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

Projektligji u hodh për votim në parim dhe në tërësi dhe u miratua me shumicë votash pro.

/e.i//a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›