E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bele: KAS nuk heton krimet zgjedhore, rinumërimi përfundon brenda të hënës

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Koli Bele në një prononcim për mediet sot nga Pallati i Sportit “Farie Hoti”, ku po rinumërohen votat për qarkun e Tiranës, u shpreh se nëse vijohet me këtë ritëm pritet një përfundim i procesit ndoshta ditën e shtunë, ose maksimalisht të hënën.

“Janë numëruar gati gjysma e kutive dhe në këtë ritëm normal ndoshta ditën e shtunë ose maksimalisht të hënën, pas një jave, do të kemi një përfundim të procesit”, u shpreh anëtari i KAS.

Bele theksoi se në këtë proces po bëhet vetëm rinumërimi i votave, ndërsa shtoi se KAS nuk heton krimet zgjedhore apo atë se çfarë ka ndodhur me kutitë.

“Duhet të kuptojmë që ndryshimi i votave reflekton më shumë se 600 kuti të numëruara dhe këtu gjëja e parë mund të jenë kriteret e vlerësimit, apo edhe gabimet njerëzore, mbasi lëvizin pak vota. Por duhet të kuptojmë që ky proces në vetvete nuk bën hetimin për kuti, por do të rinumërohen për të dalë një rezultat përfundimtar”, u shpreh Bele.

Bele shtoi se “për të konkluduar nëse në ndonjë rast ka për qëllim shkelje ligji duhet hetuar në një proces tjetër. Ne nuk po hetojmë kuti më kuti se çfarë ka ndodhur, por po rinumërojmë”.

“Unë nuk jam në gjendje të jap konkluzion për secilën kuti, por duhet të kuptohet që në këtë proces ka edhe gabime njerëzore, por ne nuk jemi duke hetuar kuti, sepse nuk i takon KAS, nuk është organi që kryen hetime zgjedhore. Në vetvete, çdo procesverbal është në kompjuter dhe nuk ka nevojë që ne të mbajmë shënime dore”, tha Bele.

Në përfundim të fjalës së tij, Bele tha se shpreson që ky proces të mbyllet me transparencë të plotë.

/m.q//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›