Morali i shkrimit
Mark Marku
Duket si një paradoks fakti që pikërisht në Shqipëri në vendin që ka përjetuar krimet më të mëdha të regjimit komunist, dëshmitë për këto krime janë më të pakta se në çdo vend tjetër të ish-kampit komunist të Lindjes. Kjo mungesë reflekton sa frikën për ta thënë të vërtetën, edhe pasi shkaktarët e kësaj frike e kanë humbur pjesërisht pushtetin në shoqërinë shqiptare dhe në opinionin publik, aq edhe mungesën e vetëdijes dhe të pendesës për atë që ka ndodhur. Mungesa e kësaj vetëdije normalisht ekziston tek autorët e këtyre krimeve dhe kjo nuk ka pse të na habisë, por e çuditshme është se ajo ekziston edhe te publiku. Duket se ata që nuk kanë pranuar t’i ndajnë vuajtjet me të persekutuarit, tashmë e kanë shumë të vështirë të ndajnë me ta të paktën të vërtetën e këtyre vuajtjeve.
Kampet e përqendrimit thotë Anah Arendt tek Origjina e totalitarizmit janë institucioni kryesor i regjimeve totalitare. Rrjedhimisht edhe përshkrimi i tyre është kusht i domosdoshëm për të njohur natyrën e këtyre regjimeve. E vërteton këtë leximi i Primo Levit, Solzhenicinit, Chalamovit dhe autorëve të tjerë që kanë arritur t’i mbijetojnë terrorit të kampeve naziste dhe komuniste dhe të dëshmojnë për të. Leximi i dëshmive të këtyre autorëve e ka tronditur botën dhe ka shërbyer si një moment vetëdijesimi për krimet e kryera nga regjimet autoritare. Por shoqëria shqiptare ka mbetur e pandjeshme ndaj dëshmive të tilla. Ajo ka patur frikë të përballet me këtë lloj leximi. Kjo ka ndodhur sepse në Shqipëri ka patur një politikë harrimi të krimeve të komunizmit. Kjo politikë e ndarë në tre etapa a) fshehja dhe manipulimi i provave b) relativizimi i krimeve dhe shpërndarja e fajit c) harrimi i asaj që ka ndodhur, ka bërë që dëshmitë e burgjeve shqiptare në mos të zhduken, të jenë një kategori e margjinalizuar e shkrimeve për diktaturën.
Duket se kësaj politike nuk i kanë rezistuar as një pjesë e të mbijetuarve të burgjeve dhe kampeve komuniste në Shqipëri. Përveç dëshmive të Petro Markos, Fatos Lubonjës, Kalakullës, Agim Mustës, Maks Velos dhe të ndonjë tjetri, krimet dhe terrori komunist janë përshkruar shumë pak nga viktimat e mbijetuara të këtij terrori. Kjo, sepse siç thotë një disident rus, të dënuarit e komunizmit e kanë përjetuar dy herë izolimin: njëherë në kohën kur kanë qenë të dënuar dhe njëherë pas daljes nga burgu. Dënimi i pasdaljes nga burgu si duket vazhdon edhe kësaj dite. Një nga format më elegante të zgjatjes së këtij dënimi është përpjekja për ta mbyllur parantezën e burgjeve shqiptare.
At Zef Pllumi me librin e tij Rrno vetëm për me tregue, na e hap edhe njëherë këtë parantezë. Vëllimi i parë i librit të tij i botuar në vitin 1995 doli pikërisht në momentin kur dukej sikur politika e harrimit kishte triumfuar. Libri i tij ishte mahnitës, sepse ndryshonte kryekreje nga retorika e përgjithshme mbisunduese antikomuniste e asaj kohe. Kjo retorikë kishte prodhuar një ligjërim fals, manipulues, fshehës dhe justifikues të krimeve komuniste. Pre e këtij ligjërimi të shpikur nga arkitektët e terrorit komunist ishin si të majtët, ashtu edhe të djathtët, dhe thelbi i tij qëndronte në një denoncim të përgjithshëm, të paadresuar të krimeve komuniste. Qëllimi i shpikësve të kësaj retorike ishte fshehja e mozaikut të krimeve të diktaturës komuniste pas të cilave konturoheshin qartas autorë dhe fajtorë konkretë.
Rrno vetëm për me tregue e denoncon krimin komunist duke e përshkruar atë ashtu siç ka ndodhur dhe ky është akti i parë moral i autorit. Në këtë kuptim e konsideroj këtë libër një kthesë morale në shkrimet shqipe për diktaturën. At Zef Pllumi, nuk sajon, nuk i bishtnon asaj që ka ndodhur. Rrëfimi i tij është i pamëshirshëm, i ashpër, i drejtpërdrejtë. Gjuha është po aq e drejtpërdrejtë dhe duket sikur autori i ka kthyer statusin e saj primordial: të thënën. Ajo thotë në mënyrë transparente atë që ka ndodhur. Dhe ajo që ka ndodhur është e tmerrshme. Prandaj duhet thënë. Tërësisht e kundërta e ligjërimit mbizotërues. Ligjërimi mbizotërues thoshte se, meqenëse ajo e vërtetë ishte e tmerrshme ajo nuk duhej thënë.
Akti i dytë i fortë moral është se libri i tij është një libër jokomunist për krimet komuniste. Gjejmë në këtë libër gjurmët e një dije tashmë të zhdukur, të dijes së traditës shqiptare dhe botërore që buron nga një mendësi jototalitare, plurale dhe që prodhon një qasje të pandotur ndaj realitetit dhe reales. Ky realitet është përshkruar nga një mendje jo komuniste dhe kjo vihet re në përshkrimin e fakteve dhe në portretizimin e figurave, në momentet e refleksionit në gjithë strukturën e veprës. Ja pse ajo është një vepër kaq papërcaktueshmërish mbresëlënëse. Duket se je në një kohë tjetër. Në një kohë tjetër të pandotur nga komunizmi.
Akti i tretë moral dhe që buron nga i dyti ka të bëjë me faktin se kjo vepër është vepra e parë, ose modeli i parë i veprës së shkruar në Shqipëri pas gati 50 vjetësh, që është e kundërta e modelit të veprës së realizmit socialist. Mjafton të shohësh për këtë se si shfaqen në këtë vepër figura e të mbijetuarit, figura e persekutorëve dhe figura e regjimit. Në ndryshim nga pjesa më e madhe e shkrimeve për kampet, ky libër nuk ka si qëllim ta ngrejë autorin në rangun e heroit. I vetëdijshëm me sa duket për kotësinë e një gjëje të tillë (At Zefi thotë diku se fjala hero nuk ka lidhje me shqipen), ai merr përsipër të dëshmojë. Dëshmitari është një njeri, një njeri që ka vuajtur, një njeri që është frikësuar, një njeri që ka qëndruar. Bashkëvuajtësit e tij gjithashtu. Ka prej tyre që janë thyer, ka prej tyre që kanë bashkëpunuar dhe janë përdorur nga xhelatët, ashtu siç ka të tjerë që kanë rezistuar me heroizëm. Ai i dëshmon edhe vuajtjet, edhe heroizmin, edhe thyerjen e tyre. E njëjta gjë ndodh me figurën e persekutorit. Ai nuk është vetë regjimi. Ai është në ndonjë rast edhe i mirë siç ndodh me operativin e sigurimit në Dukagjin, në shumë raste edhe i zgjuar, e në më të shumtën e rasteve një instrument vrastar i kontrolluar nga regjimi. Vizatimi i tij nuk është monokron. Kjo është e shpjegueshme. Autori ka dashur të na sjellë të gjallë dhe në mënyrë joskematike figurën e të persekutuarit, të persekutorit dhe të regjimit. Ai nuk ka dashur as t’i zbukurojë, as t’i përkeqësojë ato. Ceslav Milosh duke komentuar etikën e shkrimeve të kampeve naziste në epokën sovjetike e shpjegon kontradiktën e këtij përshkrimi dhe kjo kontradiktë, sipas tij, kishte të bënte me faktin se të mbijetuarit i përshkruanin kampet jo ashtu si i kishte parë, por siç duhej t’i kishte parë. Libri “Rrno vetëm për me tregue” është në këtë kuptim krejt e kundërta. Në këtë libër nuk është ideologjia ajo që e përcakton shkrimin, por fakti.
Me veprën e tij Padër Zefi dëshmon se nuk ka patur asnjëherë frikë të përballet me të vërtetën, as kur ishte në burg, as kur ishte jashtë tij. Nuk ka gjë më të turpshme në botë se të harrosh krimet – thotë Chalamov në një letër dërguar Pastërnakut në vitin 1956. Libri Rrno për me tregue e shpëton shoqërinë shqiptare prej këtij turpi. Ajo është mbi të gjitha një dëshmi se morali i shkrimit ekziston ende në shkretëtirë morale të quajtur Shqipëri që ka lënë pas komunizmi.