E Diel, 1 Nëntor 2026

Dovolani: “Do ta fitoj serish kercimin me yjet”



Beqir SINA
Kërcimtari i njohur shqiptaro-amerikan Toni Dovolani i njohur për publikun amerikan por edhe më gjerë si pjesëmarrës i rregullt i edicioneve të spektaklit “Vallëzim me Yjet”, por edhe si kampion amerike dhe botëror në kampionatet e dancit thotë se “Jam krenar që jam shqiptar, artistët shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe diasporës kudo në botë, duhet të jenë të bashkuar dhe të mos e mohojnë kombësinë tonë”.

Si ndihet Toni Dovolani në këtë edicion të “Dancing with the stars”, ku do të ketë partnere aktoren e njohur Susan Luçi?
Së fundi kam dy gëzime të mëdhaja; Zoti më fali dy binjakë dhe do të konkuroj me aktoren e famshme Susan Luçi. Susan megjithëse i ka kaluar të 61 vitet është kërcimatre profesionale, ku dallohet për elegancën, shkathtësinë dhe dinamizmin. Mbi të gjitha ajo di ta bëjë për vete spektatorin pasi është një aktore e njohur që e thërrasin edhe me pseudonimin “Mbretëresha”. Jam optimist se do të zëmë një vend të mirë.

Jeni pjesëmarrës i 6-të edicioneve, cili prej tyre ka qenë më emocionuesi për ju?
Për mua të gjitha janë të suksesshme dhe ngjallin emocion. Vetë pjesëmarrja ime në këto edicione, pra zgjedhja ime me gjithë partneret që kam pasur, është padyshim një sukses i veçantë. Por si më të veçantin duke iu përgjigjur pyetjes suaj, patjetër që mund të veçoj atë me Stacey Keibler. Stacey ishte balerinë e lindur. Ajo e kish filluar baletin qysh fëmijë në moshën 12- vjeçare, ndaj kur erdhi në këtë spektakël kishte shumë asete natyrale. Ndërsa në edicionin e gjashtë, me partneren Marissa Jaret Winokur arrita të kem më shumë adhurues sesa kisha arritur në pesë edicione gjithsej. Kjo për shkak se fansat e shumtë të Marissa Jaret Winokur u bënë “tifozë” të çmendur për ne të dy.

Dy edicionet e fundit ju hoqët dorë nga partneret e reja duke zgjedhur femra të moshuara. Pse kjo zgjidhje?
(Qesh) Mosha në vallëzim nuk të pengon fare. Kemi parë shumë filma të vjetër, kur në mbrëmjet mondane të vallëzimit ata që kërcejnë më bukur janë gjithmonë më të vjetrit. Të vjetrit kërcejnë plotë finesë dhe tregojnë më fisnikëri gjatë vallëzimit. Pra, nga eksperienca vijnë me më shumë lëvizje tërheqëse, të cilat kanë të bëjnë me kohën kur i kanë fituar ato mënyra të të kërcyerit. Në vallëzimin klasik nuk ka asnjë farë ndryshimi në moshë. Sidomos, Susan Luçi, pres ta prezantojë veten shumë bukur. Ajo ka një shkathtësi dhe klasicizëm të shkëlqyer. Ajo ka 14-vjet që po përgatitet për të dalë në skenë edhe si kërcimtare profesioniste. Mendoj se do të jetë e “pandalshme” në këtë ambicje së bashku me mua, pavarësisht moshës që ka.

ǒvend synoni që të arrini në renditjen finale të këtij edicioni?
Në këtë edicion me partneren time Suasan Luçi, kam shumë besim se do jemi në krye të garës. Siç ju thashë edhe më parë, Susan ka një eksperiencë të mirë dhe shumë adhururues, të cilët do të votojnë vetëm për ne. Përcjellësit e Susan dhe ata që kam krijuar unë deri tani patjetër që do të na japin votat e tyre.

Kush ju “tremb” më tepër nga çiftet e tjera që janë në garë?
Tu them të drejtën... Lance Bass dhe Kim Kardashian, të cilët kanë qenë pjestarët e grupit të famshëm amerikan “In Sing”. Ata kanë me miliona adhurues në mbarë SHBA-të, të cilët do të votojnë patjetër për ta.

Në cilin stil vallëzimi mendoni se jeni më i fortë?
Në stilin latin, pasi ky lloj kërcimi ka shumë ngjashmëri për nga dinamika dhe eleganca me vallëzimin e çifteve shqiptare nëpër ballo. Dhe kam qenë shumë i suksesëshëm gjatë vallëzimeve kur në njërën prej sitleve të mia vallëzova me veshjen që mbante ngjyrat e flamurit shqiptar dhe shqipnonën me dy krena.

Meqënëse përmendët ngjyrat kombëtare, si ndiheni kur vallëzoni për ngjyrat dhe flamurin shqiptar para miliona spektatorëve që iu ndjekin?
Jam krenar që po e tregoj veten se jam shqiptar! Së pari jam i Prishtinës, i Dibrës, i Shqipërisë. Ne të gjithë jemi shqiptarë të një gjaku dhe të një gjuhe, pavarësisht se ku kemi lerë apo ku jemi rritur. Ne duhet të ruajmë e të kultivojmë edhe këtu në SHBA-së kulturën dhe traditën tonë, në mënyrë që t’i tregojmë botës se kemi vlera. Askush nuk duhet ta mohojë kombësinë qoftë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Çamëria, Mali i Zi, Presheva, Medvegja, Bujanovci apo Diaspora, të gjithë duhet të jemi të bashkuar dhe ta rrisim në Amerikë shqiptarinë.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›