E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mori 25 mijë euro përmes mashtrimit të biznesmenit në Tiranë, prokuroria kërkon 10 vite burg për hackerin nigerian

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin me 10 vite burg të shtetasit nigerian Sabastian Victor Negbenedor, i akuzuar për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Rasti është denoncuar nga një biznesmen, i cili prej 10 vitesh importon detergjentë nga Italia drejt kompanisë së tij në Sauk. Ai tha se ka humbur 25 mijë euro pasi u mashtrua përmes një emaili të falsifikuar nga hackeri nigerian. Ai mori një mesazh që dukej identik me adresën e partnerit të tij italian, ku i kërkohej që pagesa e radhës të kryhej në një llogari bankare në Gjermani. Emaili përmbante faturën origjinale të furnizuesit dhe dukej i besueshëm, ndaj biznesmeni bëri transferimin.

Pas disa javësh, pala italiane e njoftoi se nuk kishte marrë paratë, dhe atëherë u zbulua se shuma ishte dërguar në një adresë të rreme. Hetimet treguan se përfitues ishte shtetasi nigerian Sabastian Victor Negbenedor, i cili kishte përvetësuar shumën përmes mashtrimit kompjuterik.

Prokuroria e Tiranës ka zbuluar se shtetasi nigerian ka përdorur të njëjtin mekanizëm për të mashtruar edhe biznese të tjera në Shqipëri.

Ky mekanizëm konsistonte në hakerimin e email-eve të bizneseve me siguri të dobët, ndjekjen e komunikimeve për porosi dhe pagesa, dhe më pas dërgimin e emaileve të rreme nga adresa të ngjashme për të devijuar transfertat bankare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›