E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq/ 266 ha tokë të përmbytura në Shkodër, rriten nivelet e Bunës dhe Drinit, por ende brenda kuotës. Borë dhe vështirësi qarkullimi në Vermosh e Theth

Reshjet e dendura të shiut dhe borës kanë sjellë problematika në disa zona të vendit, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore, vështirësi në qarkullimin rrugor dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa njësi administrative. Strukturat e Emergjencave Civile, bashkitë dhe autoritetet rrugore janë në terren për monitorimin dhe menaxhimin e situatës, e cila paraqitet e kontrollueshme, por vijon të kërkojë vëmendje të shtuar.

Qarku Shkodër

Situata hidrike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme, me nivele të ujit nën kuotat kritike dhe pa përmbytje banesash. Megjithatë, janë evidentuar përmbytje të konsiderueshme të tokave bujqësore, në total 266 hektarë.

Nivelet e lumenjve Bunë dhe Drin mbeten brenda parametrave të sigurisë, por kanë shënuar rritje me rreth 10–20 cm gjatë 24 orëve të fundit. Në Urën e Vjetër të Bunës niveli i ujit është 8.30 m, ndërsa në Urën e Bahçallëkut lumi Drin është në kuotën 8.05 m. Në njësinë administrative Dajç, niveli i ujit raportohet 6.48 m.

Në Nj.A. Ana e Malit, rruga për në Obot vijon të jetë e pakalueshme për mjetet e ulëta, ndërsa është e kalueshme vetëm për mjete të larta, pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 50 cm. Në këtë zonë janë përmbytur rreth 130 ha tokë bujqësore, kryesisht në fshatrat Obot dhe Muriqan.

Në Nj.A. Dajç, janë përmbytur rreth 35 ha tokë bujqësore në zonën e Pentarit, ndërsa në Nj.A. Velipojë, sipërfaqja e përmbytur vlerësohet në 101 ha. Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm, me tendencë tërheqjeje të ujit nga zonat e përmbytura.

Në zonat malore të qarkut, nga ora 06:30 vijojnë reshje intensive bore në segmentin Gropat e Selcës – Dogana Vermosh, pjesë e aksit Hani i Hotit – Vermosh, mbi 1000 metra lartësi. Katër mjete borëpastruese janë në punë dhe rekomandohet qarkullimi me goma dimërore. Reshje bore vijojnë edhe në Bogë–Theth.

Qarku Kukës

Në Qarkun Kukës, deri në orën 08:40, situata paraqitet e menaxhueshme. Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në disa segmente rrugore, por subjektet kontraktore po punojnë për pastrimin dhe kriposjen e akseve.

Sipas autoriteteve, të gjitha rrugët nacionale janë të qarkullueshme, ndërsa nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportohet për problematika të theksuara. Bashkitë vijojnë punën për eliminimin e pasojave të reshjeve të shiut.

Furnizimi me energji elektrike është i garantuar në të gjithë qarkun, me përjashtim të fshatit Kam, Nj.A. Bytyç, bashkia Tropojë. Ndërkohë, vijon puna për largimin e një masivi shkëmbor në segmentin Dushaj–Lekbibaj, ndërsa aksi mbetet i kalueshëm.

Qarku Gjirokastër

Reshjet e shiut kanë vijuar gjatë gjithë natës në territorin e qarkut Gjirokastër dhe aktualisht situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përkatëse.

Aksi rrugor Gjirokastër–Tepelenë vazhdon të jetë i qarkullueshëm me një kalim pranë zonës së Shkallës së Zezë, ku kontraktori është i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe po punon për largimin e dherave.

Ndërkohë, aksi Përmet–Dogana e Tre Urave është i qarkullueshëm me një sens, në hyrje të fshatit Petran, ndërsa Policia Rrugore ndodhet në vendngjarje për menaxhimin e trafikut.

Edhe gjatë ditës së sotme do të vijojë puna në të gjitha bashkitë e qarkut për normalizimin e problematikave në qendrat urbane, si dhe për hapjen e segmenteve të bllokuara në rrugët rurale.

Sa i përket situatës hidrike, niveli i lumit Vjosë, në pikë-matjen e Memaliajt, raportohet të jetë nën kuotën 3.7 metra.

Qarku Durrës

Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme, evakuime masive dhe dëme materiale në disa zona të Qarkut Durrës.

Bashkia Durrës

Gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, pa krijuar problematika në akset rrugore apo në lumenj. Sa i përket situatës hidrike, në lumenjtë Erzen dhe Ishëm vihet re një rënie e dukshme e nivelit të ujit dhe situata po shkon drejt normalizimit.

Në total janë evakuuar 848 banorë, ndërsa janë mbajtur 1453 akte konstatimi dhe janë verifikuar 4067 banesa. Rreth 508 specialistë ndodhen në terren dhe do të vijojnë vlerësimin e dëmeve edhe në ditët në vijim, deri në evidentimin e plotë të situatës emergjente.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Shtetërore janë siguruar 1100 pako ushqimore. Në zonat Sukth dhe Katund i Ri raportohet përmbytja e rreth 2800 hektarëve tokë bujqësore.

Bashkia Krujë

Nga inspektimet e kryera në mëngjes rezulton se lumenjtë Gjole dhe Zezë kanë shënuar rënie të dukshme të nivelit të ujit dhe situata po shkon drejt normalizimit. Gjatë ditës së sotme, grupet e punës do të vijojnë inspektimet për vlerësimin e dëmeve në banesa. Ndërkohë, bëhet me dije se ditën e djeshme ka përfunduar bllokimi i çarjes së argjinaturës së lumit Droje.

Bashkia Shijak

Edhe në Bashkinë Shijak situata paraqitet e qëndrueshme. Gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, pa raportime për problematika të reja. Gjatë natës, nga sektori i MZSH-së dhe shërbimet e Bashkisë, është bërë i mundur pastrimi i 5 banesave, si dhe nxjerrja e ujit nga 2 banesa të tjera.

Qarku Fier

Deri në këto momente, situata paraqitet e qëndrueshme. Të gjitha akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në normalitet. Hidrovorët ndodhen në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.

Prurjet në lumin Vjosë janë në tendencë rënieje dhe vijon tërheqja e ujërave nga tokat bujqësore të prekura nga përmbytjet e mëparshme. Ndërkohë, prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë në rritje dhe në disa zona përgjatë rrjedhës ka dalje nga shtrati, por brenda argjinaturave mbrojtëse.

Gjatë ditës së sotme, pas tërheqjes së ujërave në fshatin Ferras, vijon puna në terren nga strukturat e Bashkisë Fier. Autoritetet mbeten në monitorim të vazhdueshëm të situatës në lumin Seman, edhe për shkak të rritjes së shkarkimeve nga Hidrocentrali i Banjës.

Qarku Korçë

Situata në Qarkun e Korçës, paraqet disa problematika kryesisht në furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturë. OSHEE raporton ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona:

Fideri 9, NST Lozhan – pjesërisht pa energji, rreth 400 abonentë ruralë; jashtë funksionit 5 kabina në zonat Leshec dhe Maliq–Opar.

Fideri 14, NST Petrushë – pa energji zonat Dardhas, Prenisht dhe Grunjaz; rreth 400 abonentë.

Fideri 20 “Ushtria”, NST Pogradec – pa energji rreth 700 abonentë urbanë në Garnizon, Goricë dhe Gurore.

Fideri Potgozhan, NST Gur i Kuq – pa energji rreth 100 abonentë ruralë.

Fideri JO6, NST Leskovik – i stakuar për shkak defekti; preken 257 abonentë ruralë në disa fshatra të zonës.

Ekipet e OSHEE-së ndodhen në terren për riparimin e defekteve, ndërsa fiderat që furnizojnë konsumatorë me rëndësi të veçantë janë funksionalë. Hidrovori i Pogradecit funksionon normalisht.

Bashkia Maliq

Vijon problematika e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, ku ndërhyrja është e pamundur për momentin. Janë evidentuar rrëshqitje dhe dëmtime në zonën e Kakaçit dhe te ura e fshatit Osojë, të cilat kërkojnë investime të mëtejshme.

Bashkia Pustec

Po punohet për pastrimin e përroit të Gorricës dhe riparimin e segmentit rrugor Lajthizë–Liqenas.

Bashkia Pogradec

Problem kryesor mbetet Lumi i Verdovës, ku shembja e një pjese të karrexhatës ka kufizuar qarkullimin në një korsi. Lumi Remenj është stabilizuar, ndërsa lumi i qytetit ka shkaktuar dëme dhe kërkon ndërhyrje.

Nga ARRSH, Drejtoria Qendër–Lindje, bëhet me dije se rruga e Dardhasit është e kalueshme provizorisht, ndërsa në fund të fshatit Çërravë një rrëshqitje dherash rrezikon një banesë të banuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›