E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet magazinë e veshjeve të kontrabanduara me logo false në Kamëz, në pranga një turk, një tjetër në kërkim

Një magazinë ku stampoheshin veshje dhe këpucë të kontrabanduara, me logo të falsifikuara të markave ndërkombëtare u zbulua në Kamëz, ndërsa në pranga përfundon një shtetas turk, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Gjatë një operacioni policor të koduar “Brands 2” u arrestua shtetasi turk Ozkan Sulun, 46 vjeç, ndërsa shtetasi turk Mehmet Karçiga, 50 vjeç është shpallur në kërkim. Tre punonjëse të magazinës, L. M., Sh. M. dhe Sh. B., u proceduan në gjendje të lirë.

Gjatë kontrollit u sekuestruan sasi të mëdha veshjesh dhe këpucësh, makineri lazeri, printimi dhe stampimi, stampa dhe logo të markave të njohura ndërkombëtare, një celular dhe dokumente të tjera që do të shërbejnë për hetimin. Hetimet paraprake tregojnë se magazinoheshin mallra që kishin shmangur detyrimin doganor dhe u falsifikonin logot markave ndërkombëtare.

Policia vijon punën për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Shtetasit akuzohen për vepra penale si: shkelja e të drejtave të pronësisë industriale, punësimi i paligjshëm, kontrabanda me mallra të tjera, tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë, ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë, fshehja e të ardhurave, dhe falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›