E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mungesa e furnizimit me ujë prej disa ditësh, qytetarët protestë para Bashkisë së Vlorë, kërkojnë një afat se kur do rregullohet defekti

Qytetarët e Vlorës kanë protestuar këtë të hënë para bashkisë për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, problem që ka prekur të gjithë qytetin prej disa ditësh. Të revoltuar nga situata dhe mungesa e informacionit zyrtar, protestuesit kanë hedhur vezë drejt godinës së bashkisë, duke kërkuar përgjigje konkrete se kur do të zgjidhet defekti në linjën kryesore të furnizimit me ujë.

Defekti ka shkaktuar ndërprerje totale të furnizimit me ujë që prej ditës së enjte, ndërsa banorët thonë se nuk kanë pasur asnjë mundësi alternative për t’u furnizuar. Ata kërkojnë vendosjen e një afati të qartë se kur uji do të rikthehet në banesat e tyre, si dhe transparencë mbi masat konkrete që janë marrë nga bashkia dhe ndërmarrja e ujësjellësit.

Edhe pse autoritetet kanë deklaruar se po punohet për riparimin e defektit, deri më tani problemi nuk është zgjidhur. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë nuk ka dhënë një afat përfundimtar për rregullimin e situatës. Më herët ishte njoftuar se defekti do të zgjidhej brenda tre ditësh, por përpjekjet deri tani nuk kanë qenë të suksesshme.

Si zgjidhje provizore, Bashkia e Vlorës ka njoftuar se do të shpërndajë ujë me autobotë sipas orareve dhe prioriteteve të caktuara. Fillimisht do të furnizohen institucionet me rëndësi të veçantë, si spitalet dhe institucionet e emergjencës, ndërsa më pas familjet, sipas zonave dhe rasteve më urgjente. Autoritetet pranojnë se është e pamundur të furnizohet i gjithë qyteti në këtë mënyrë, por kanë vënë në dispozicion numra kontakti për qytetarët që kanë nevojë urgjente për ujë.

Një natë më parë banorët protestuan për mungesën e ujit të pijshëm duke bllokuar Bulevardin “Ismail Qemali”. Ata gjithashtu hyrë brenda ambienteve të teatrit, ku po mbahej mbrëmja Gala e fundvitit, e cila për shkak të situatë, u anulua.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›