E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” – Qelitë origjinale të paraburgimit

Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” gjithnjë e më shumë po përfshihet në axhendat e turistëve të huaj që vizitojnë Shkodrën.

Veçanërisht për vizitorët nga Europa Perëndimore dhe Amerika, ky muze dëshmon detaje për të cilat kanë dëgjuar dhe lexuar, por jo përjetuar në vendet e tyre. Si pjesa më tërheqëse e muzeut vlerësohen qelitë origjinale të paraburgimit.

“Jam nga Gjermania. Muzeu është shumë interesant. Është një mundësi e shkëlqyer për t’u njohur me atë periudhë të vështirë të historisë së Shqipërisë, si dhe të jep mundësinë që të shikosh ndryshimet që ka pësuar vendi juaj.”

Një tjetër turist nga Danimarka shprehet për RTSH se, “Është hera e parë që vizitoj Shkodrën. Është shumë impresionuese të vizitosh këtë muze që tregon për historinë që kanë përjetuar shqiptarët gjatë periudhës së komunizmit. Kam lexuar para se të vija në Shqipëri dhe e dija që është një histori e vështirë. Ky muze është një mundësi e shkëlqyer për t’u njohur nga afër me këtë periudhë.”

Sipas punonjësve të muzeut, ky vend i rëndësishëm i dëshmisë dhe kujtesës është kthyer tashmë në një nga asetet kryesore turistike të qytetit, pasi gjithçka që është ekspozuar paraqet shumë interes për të huajt.

“Me ardhjen e sezonit turistik, ashtu sikurse kemi bërë edhe vitet e kaluara, t’u japim turistëve një përvojë sa domethënëse vizitorit që vjen në muzeun tonë. Kjo përvojë lidhet me një sasi shumë të mirë informacioni për t’u treguar turistëve se çfarë ishte komunizmi në Shqipëri,” u shpreh Xherardo Nikjari, specialist në Muzeun “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër.

Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës është i pari Vend Kujtese Historike në Shqipëri, i cili përkujton viktimat që vuajtën dënimin në burgjet e regjimit komunist. Gjatë vitit të kaluar, muzeu u vizitua nga rreth 8 000 turistë të huaj.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›