NJU JORK – OKB: Izraeli ka vrarë mbi 100 civilë në Liban që nga armëpushimi

NJU JORK, 1 tetor /ATSH/- Sulmi izraelit me dron në Libanin jugor shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosi pesë të tjerë, ndërsa shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Volker Turk tha se sulmet izraelite ndaj fqinjit të saj verior kanë vrarë më shumë se 100 civilë në 10 muaj, sipas AP.
Turk bëri thirrje për rritjen e përpjekjeve për t’i dhënë fund përgjithmonë armiqësive në Liban – pas marrëveshjes 14-mujore Izrael-Hezbollah – që përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-ja në fund të nëntorit.
“Sulmi me dron ndaj një automjeti në fshatin jugor libanez, Kafra shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosi pesë të tjerë”, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Turk tha se deri në fund të shtatorit, ishin verifikuar 103 civilë të vrarë në Liban që nga armëpushimi.
“Nuk ka pasur raportime për vdekje nga predhat e lëshuara nga Libani drejt Izraelit që nga armëpushimi”, tha ai.
“Më shumë se 80 000 njerëz mbeten të zhvendosur në Liban – si pasojë e dhunës së vazhdueshme”, tha Turk, duke shtuar se rreth 30 000 banore nga Izraeli verior thuhet se mbeten të zhvendosur.
Që nga armëpushimi, Izraeli ka kryer sulme ajrore pothuajse çdo ditë në Liban, duke thënë se po shenjestron anëtarët e Hezbollahut.
Më 21 shtator, një sulm ajror në qytetin jugor libanez, Bint Jbeil vrau pesë persona, përfshirë tre fëmijë.
Turk bëri thirrje për një hetim të pavarur dhe të paanshëm për incidentin, së bashku me incidente të tjera që ngrenë shqetësime në lidhje me pajtueshmërinë me ligjin ndërkombëtar humanitar.
“Lufta më e fundit Izrael-Hezbollah vrau më shumë se 4 000 njerëz në Liban, përfshirë qindra civilë, dhe shkaktoi dëme me vlerë rreth 11 miliardë dollarë”, sipas Bankës Botërore.
Në Izrael, vdiqën 127 persona, përfshirë 80 ushtarë. //a.i./