E Diel, 1 Nëntor 2026

NJU JORK – Wadephul: Kina dhe Rusia duhet të bien dakord për rezolutën e OKB-së për Ngushticën e Hormuzit

NJU JORK, 28 prill /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul i bëri thirrje sot Kinës dhe Rusisë të lejojnë miratimin e një rezolute të Kombeve të Bashkuara, e cila do të koordinojë masat ndërkombëtare për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se vetoja e dyfishtë e tyre, deri tani ka bllokuar këtë nismë.

Deklarata e Wadephul erdhi gjatë një vizite në selinë e OKB-së, në Nju Jork.

“Çdokush që dëshiron të mbrojë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla – jo vetëm me fjalë – por që dëshiron ta shohë atë të funksionojë realisht, duhet të bëjë të mundur miratimin e rezolutave të tilla këtu”, tha ai.

Qeveria gjermane po shqyrton rezolutën e OKB-së, si një nga kushtet paraprake që forcat e saj të armatosura (Bundeswehr) të mund të marrin pjesë në çdo mision të ardhshëm sigurie në këtë ngushticë.

Ngushtica e Hormuzit është me rëndësi kyçe për ekonominë globale, veçanërisht për transportin e naftës dhe gazit natyror.

Si pasojë e tensioneve, çmimet globale të naftës së papërpunuar dhe gazit të lëngshëm (LNG) kanë shënuar rritje.

Sipas Wadephul, bisedimet në OKB dhe debati në Këshillin e Sigurimit për lirinë e lundrimit kanë treguar se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar në qëndrimin se “Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për kalim”.

Ai shtoi se një tjetër element kyç për zgjidhjen e krizës është që Irani të heqë dorë nga ambicia e tij për armë bërthamore.

“Kjo botë nuk ka nevojë për fuqi të reja bërthamore — kjo botë ka nevojë për më pak armë bërthamore”, tha ministri i Jashtëm gjerman.

Wadephul mbështeti gjithashtu deklaratat e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, i cili një ditë më parë, kritikoi SHBA-në për mungesë strategjie në luftën me Iranin.

“Një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane”, tha më herët Merz.

I pyetur për këto deklarata, Wadephul u shpreh se Irani nuk duhej të keqinterpretonte faktin që SHBA-ja kishte zgjeruar vazhdimisht qëndrimin e saj negociues, duke theksuar se Uashingtoni kishte dislokuar kapacitete të konsiderueshme ushtarake në rajon.

“Serioziteti dhe urgjenca e situatës nuk është kuptuar ende nga të gjithë në Teheran. Dhe kjo është ajo që Merz donte të theksonte”, tha Wadephul. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›