E Martë, 3 Nëntor 2026

Nafta pa taksa ul kostot e prodhimit dhe rrit fitimet e fermerëve

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Kujtim Kallashi në Lushnjë, prej 7 vitesh i është përkushtuar kultivimit të perimeve në 2 hektarë serra dhe të shalqinit në 6 hektarë tokë të hapur, duke ndërtuar një fermë të qëndrueshme dhe produktive.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e Kujtimit, që ka aplikuar në Skemën Kombëtare për të përfituar mbështetje nga skema e naftës pa taksa.

“Prodhimi i tij dërgohet në pikat e grumbullimit dhe shkon kryesisht për eksport, duke kontribuar në të ardhurat familjare dhe ekonominë bujqësore të zonës”, u shpreh Denaj.

Ministrja bëri të ditur se, skema e mbështetjes me subvencione ul kostot e prodhimit dhe rrit më shumë fitimet e fermerëve.

“Me mbështetjen e Skemës Kombëtare për naftën dhe mbjelljet në serra, si dhe me përdorimin e mbrojtjes biologjike në specin trikolor prej dy vitesh, Kujtimi ka arritur të ulë kostot, të rrisë cilësinë dhe të zgjerojë aktivitetin, duke garantuar rendiment më të lartë dhe prodhim të sigurt gjatë gjithë sezonit”, tha Denaj.

Kujtimi thotë se punon me shumë pasion dhe dëshirë në serrat që ka ndërtuar vetë, ku kultivon perime të freskëta të sezonit, që shkojnë kryesisht për eksport.

“Kam aplikuar në Skemën e subvencioneve për naftën pa taksa, mbështetje të cilën e kam përfituar rregullisht vitet e fundit, dhe që më ka ndihmuar shumë në uljen e kostove të prodhimit”, u shpreh ai. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›