Ndahet nga jeta ish-diktatori Suharto
Ish-Presidenti indonezian, Suharto, vdiq në një spital në Xhakarta, ku ishte shtruar që prej 4 janarit. I akuzuar nga kundërshtarët për krijimin e një perandorie miliarda dollarëshe gjatë sundimit të tij, Haxhi Muhamed Suharto u rrëzua nga pushteti në 1998-ën, pas shpërthimit të zemërimit masiv. Imazhet e fundit të tij tregonin një të moshuar të dobët dhe të lodhur. Që nga dalja e tij dramatike nga skena politike, ai është shtruar disa herë në spital, por shëndeti i keq në vitet e fundit të jetës, për asnjë moment nuk ka shuar nga mendjet e indonezianëve 32 vitet e pushtetit të tij të hekurt. Sipas CIA-s amerikane, ai kishte përvetësuar 27 miliardë dollarë, por një gjyq kundër Suhartos nuk nisi asnjëherë, pasi gjykatësit mendonin se nuk ishte në kushtet e duhura shëndetësore për të përballuar një proces.