Një satelit rrezikon të godasë tokën
Një satelit gjigand amerikan ka dalë jashtë kontrollit dhe mund të godasë Tokën në fund të shkurtit ose në mars. Zyrtarë të qeverisë amerikane thanë se situata po ndiqet me vëmendje. Sateliti mund të përmbajë materiale të dëmshme dhe nuk dihet se në ç‘pikë të planetit mund të godasë. Një incident i ngjashëm, më i madhi i këtij lloji, është shënuar në 1979-ën, kur një stacion hapësinor i braktisur, prej 78 tonësh, doli nga orbita dhe ra fatmirësisht në oqeanin Indian. Në vitin 2000, inxhinierët e NASA-s mundën të devijonin me sukses një tjetër satelit vëzhgues me peshë 17 tonë, duke bërë që ai të binte në oqeanin Paqësor. Ndërsa në 2002-shin, zyrtarët besojnë se pjesë të një sateliti shkencor hynë në atmosferën e tokës dhe ranë mbi Gjirin Persik, disa milje larg vendit ku ishte parashikuar se do të binin.