Italia hyn në një javë vendimtare. Nesër, zgjidhja e krizës
Në Itali hapet një javë vendimtare për daljen nga kriza politike me një takim të martën mes Presidentit të Republikës, Xhorxho Napolitano dhe shefit të së djathtës, Silvio Berluskoni, që kërkon zgjedhje të menjëhershme, që e majta nuk i do në asnjë mënyrë. "Nëse nuk shkojmë në zgjedhje, jam i bindur se miliona vetë do të vijnë në Romë për t‘i kërkuar", deklaroi sërish Berluskoni. "Italia nuk ka nevojë për një qeveri të unitetit kombëtar, por për një qeveri që të fillojë menjëherë punën, e legjitimuar nga vota e qytetarëve", nënvizoi ai, ndërsa e djathta del gjerësisht fituese nga sondazhet. Napolitano, që kërkon krijimin e një qeverie tranzicioni për kohën që duhet për miratimin e një reforme zgjedhore përpara votimit, ka një mundësi manovrimi mjaft të ngushtë, në përpjekje për të bindur të djathtën dhe liderin e saj, ish-shefin e qeverisë në vitet 2001-2006. "Për momentin është e vështirë të bësh sintezë", pranoi kryetari i shtetit, në përfundim të ditës të dytë të konsultimeve me partitë politike. Rëndësia e konsultimeve është "në rritje", shtoi ai, ndërsa konsultimet që do të rifillojnë të hënën duhet të mbyllen të martën me drejtuesit më të lartë politikë. Përveç Berluskonit, ai do të presë gjithashtu edhe shefin e qendrës së majtë dhe kryetarin e Bashkisë së Romës, Valter Veltroni. Kërkesat e të djathtës dhe përçarjet e të majtës, të rritura nga dorëheqja e Romano Prodit të enjten e kaluar, e bëjnë edhe më të vështirë detyrën e Napolitanos. "Të humbasësh kohë për të diskutuar një ligj elektoral që parlamenti nuk ishte në gjendje ta miratonte në 18 muaj, do të thotë të mos i kesh me të vërtetë për zemër interesat e vendit", kritikoi Xhanfranko Fini, shef i Aleancës Kombëtare, duke iu referuar përçarjeve të së majtës që nuk arriti të binte dakord për një mënyrë të re zgjedhjesh. Në përfundim të konsultimeve që pritet të përfundojnë nesër në mbrëmje, Napolitano mund të zgjedhë mes krijimit të një qeverie tranzicioni, ose në rast kundërshtimi nga shumica e partive ndaj kësaj zgjidhjeje, të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhjet. Megjithatë, ai mund të zgjedhë edhe një opsion të tretë, duke i besuar një personaliteti "një mandat eksplorimi" për vazhdimin e konsultimeve edhe për disa ditë të tjera, sipas shtypit. E djathta e ka parashikuar se ky skenar nuk do të ndryshonte në fakt asgjë. Sipas "Corriere della Sera"-s, "edhe nëse kryetari i shtetit nuk ka ndeshur në pengesa të veçanta në tentativën e tij për dialog me të djathtën, sinjalet që ai merr nuk janë për momentin shumë inkurajuese". Pothuaj e gjithë e majta kërkon një qeveri tranzicioni për të ndryshuar ligjin elektoral, por duket tashmë e nënshtruar ndaj idesë së zgjedhjeve të parakohshme. "Sipas skenarit më të keq të mundshëm, ne do të bëjmë atë që kemi bërë për një jetë të tërë: opozitën", deklaroi ish-komunisti Massimo D‘Alema, ministër i Punëve të Jashtme dhe një nga liderët e Partisë Demokrate, e lindur nga bashkimi i dy formacioneve kryesore të qendrës së majtë italiane.