E Diel, 1 Nëntor 2026

"Para, autografe dhe TV, jeta ime e re"

E rilindur për së dyti, Natasha nuk bën ndryshime gjatë stinëve. Pas një viti e gjysmë lirie, vazhdon të mbajë ende në dollapin e saj të rrobave pantallonat kur ishte një e "burgosur". Herë pas here i vesh dhe del shëtitje nëpër rrugët e Vjenës: "Përderisa kopsat metalike nuk janë ndryshkur, pse të mos i vesh? Me veshjet kam të lidhura edhe kujtimet. Çorapet dhe bluzat më kanë mbajtur ngrohtë. Nuk dua që nëna ime t‘i hedhë në plehra ato. E ndiej që duhet t‘i mbaj edhe për pak kohë. Fundja janë gjërat e mia personale dhe kanë qenë për tetë vjet. Edhe kur ndodhesha brenda asaj dhome kujdesesha që pengmarrësi të mos m‘i merrte sendet e mia personale. Nuk mund ta lejoja që të m‘i digjte".

Natasha, e cila do të mbushë 20 vjeçe më 17 shkurt, ka një pamje të zbehtë dhe shpeshherë pëshpërit fjalë të pazakonta. Ka probleme me tensionin dhe ha çdo dy orë. Për të dalë nga kjo gjendje jo fort e këndshme e që i kujton të shkuarën, takohet me një psikolog, noton dhe bën shumë aerobi. Tani Natasha studion për biologji. Mundohet që të bëjë një jetë të rregullt e të qetë si shumë persona, por nuk e ka të lehtë të harrojë e t‘i hedhë pas krahëve ato tetë vite, pesë muaj e njëzet e një ditët që jetoi në ferr.

Besimi - "Shumë persona mundohen të përfitojnë dhe duhet shumë kohë që unë të besoj te një njeri".

Ambicia - "Nuk i kam zbuluar ende ambiciet e reja, duke qenë se kam qëndruar për tetë vjet e mbyllur në një dhomë. Nuk kam pasur kontakte me botën e jashtme".

Frika - "Më kujtohet çdo gjë që ka ndodhur. Vila, muri, errësira. Kisha frikë se mos ndoshta pengmarrësi im vriste veten dhe atëherë uria, etja, dhimbja dhe vdekja do të vinin ngadalë. I trembesha faktit se askush nuk do të mund ta gjente kufomën time. Çfarë do të bëhej me mua?..."

Mllefi i Natasha Kampush është "varrosur" kushedi se ku. Ndoshta në ndonjë varr të fshehur e pa emër si ai i Wolfgang Priklopil, i çmenduri që e rrëmbeu kur ishte një vajzë e vogël, e shndërroi në një skllave të vogël në një kthinë varri në Strasshof, që kur e pa të arratisej u ndie i humbur dhe vrau veten.

Pyetja që i bëjnë të gjithë është: cili është burri i ëndrrave të tua?

Tashmë Natasha ndihet e sigurt dhe në një intervistë në kanalin televiziv "Orf2", vendosi t‘i tregonte botës historinë e saj. Madje, ajo ka hapur edhe një faqe interneti, ku ka publikuar historinë dhe disa fotografi të sajat.

Pas një periudhe pushimi në Barcelonë, Natasha do të jetë sërish pjesë e ekranit të madh. Pas pak javësh ajo do të jetë prezantuesja e programit televiziv "Natasha, një intervistë me...", një seri intervistash, të cilat do të transmetohen në kanalin austriak "Puls4". "Do të jetë një emision me të ftuar, të cilët do të tregojnë historitë e tyre të papublikuara më parë", thotë regjisorja e programit.

Rasti i Natashës është një nga ngjarjet më të prekura nga mediat austriake këto vite. Shumë gazeta, që e kanë "pagëzuar" me emrin "Natascha Beckham Kampusch", kanë bërë që e gjithë bota t‘i kthejë sytë nga ajo. "Kur ishte e mbyllur në atë dhomë, i thosha gjithmonë vetes: ‘Nuk dua të bëhem objekt i botës mediatike‘".

Ajo ka menduar që të gjitha paratë e fituara nga kjo histori t‘i çojë për bamirësi: "Nuk kam pasur kohë të merrem me këtë punë, por jam e sigurt që paratë janë aty dhe kontrollohen nga avokatët. Do t‘i ndihmoj të tjerët sapo ta kapërcej këtë periudhë, sepse ndihem ende e pafuqishme".

Shumë njerëz e cilësojnë Natashën si një llasticë: "Thonë se jam e pasur dhe arrogante, gjë e cila nuk është e vërtetë. Jam vetëm e pasigurt. Një karikaturist ka shkruar: "Mbylli brenda për pak kohë dhe kur dilni do të bëheni të famshëm". Njerëzit më fotografojnë pa më pyetur, në aeroport një vajzë ndaloi për të më marrë autograf. Më kishin fotografuar në diskotekë dhe sajuan se kisha një të dashur, më pas u munduan të më bënin shantazh: duhet të bëja një intervistë dhe në këmbim ata do të zhduknin fotot. Gjithçka ishte kaq e shëmtuar dhe nuk kishte të bënte me mua. Unë jam një vajzë e lirë, nuk kam nevojë për para dhe e jetoj jetën në një mënyrë modeste".

Edhe nëna e saj, Brixhita, pasi ka pasur gjithmonë një raport të vështirë me Natashën dhe dyshon për miqësinë me Priklopil, ka shkruar një libër: "Nëse kjo sjellje i duket e drejtë dhe arrin të justifikohet para vetes, është e lirë të bëjë gjithçka. Unë do të sillesha ndryshe, por secili ka koshiencën e tij".

Shpesh Natasha del në mbrëmje dhe shëtit nëpër rrugët e Vjenës. Më pas kthehet në shtëpi, ndez televizorin dhe fillon të pastrojë shtëpinë, ashtu siç pastronte vilën e maniakut që e kishte rrëmbyer. Nuk flet kurrë për të: "Ishte një shpirt i gjorë, i humbur. Më dhimbsej shumë. Është një kujtim që nuk do të venitet kurrë. Mundohem të ruaj gjërat më të mira nga kjo histori".

Kujtimi është një "rrobë pa faj": "Mund ta shes shtëpinë e Priklopil, të fitoj shumë para, por nuk dua. Ai vend mund të shndërrohet në një kënd lojërash, por jo, do të qëndrojë ashtu siç është: sheshi i së keqes".

"Mund ta shes shtëpinë e maniakut, të fitoj shumë para, por nuk dua. Ai vend mund të shndërrohet në një kënd lojërash, por jo, do të qëndrojë ashtu siç është: sheshi i së keqes"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›