E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalesa panoramike në Kaninë, e parezistueshme gjatë udhëtimit drejt jugut

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Rruga drejt Vlorës nuk është vetëm një udhëtim drejt detit, por edhe një mundësi për të zbuluar peizazhe që e bëjnë vetë rrugëtimin pjesë të pushimeve.

Në lartësitë e Kaninës, përballë panoramës së gjerë të qytetit dhe Gjirit të Vlorës, turistët ndalojnë për pak çaste, duke shijuar pamjen dhe duke e përjetësuar atë përmes fotografive.

Sidomos gjatë ditëve të gushtit, kur Vlora pret mijëra pushues, kjo pikë panoramike është kthyer në një ndalesë të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj.

Për disa minuta, automjetet lënë rrugën dhe turistët i drejtohen pamjes së detit, ndërsa aparatet fotografike dhe telefonat fiksojnë Gjirin e Vlorës që prej kësaj pike dallohet i gjithë nga laguna e Nartës e deri në shpatet shkëmbore të Karaburunit.

Fotografitë e turistëve që ndalojnë në këtë pikë panoramike përcjellin pikërisht këtë atmosferë: vizitorë që admirojnë peizazhin, familje që fotografohen së bashku, çifte që ndajnë momente nga udhëtimi dhe pushues që ndalojnë për të shijuar për pak minuta pamjen e Vlorës. Këto momente e tregojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë se bukuria e destinacionit nis të përjetohet që në rrugën drejt tij.

Nga kjo lartësi, qyteti, gjiri dhe deti shfaqen në një tablo të vetme, duke ofruar një këndvështrim që e bën udhëtimin drejt destinacionit po aq të veçantë sa qëndrimi në të.

Kanina, në këtë mënyrë, nuk është vetëm një rrugë kalimi, por edhe një pikë ku turistët ndalojnë, admirojnë dhe marrin me vete kujtime nga Vlora.

Kjo rrugë krijon një lidhje më të shpejtë dhe më të aksesueshme me zonat turistike, duke lehtësuar lëvizjen e automjeteve, kur fluksi i pushuesve drejt Vlorës dhe bregdetit jugor rritet ndjeshëm.

Në ditët e gushtit, kur plazhet e Vlorës dhe zonat përreth mbushen me pushues, çdo rrugë alternative që ndihmon në lehtësimin e qarkullimit merr një rëndësi të veçantë.

Kjo jo vetëm që ndihmon turistët të arrijnë më lehtë në destinacion, por krijon edhe mundësi për të eksploruar më shumë zona gjatë të njëjtës ditë.

Kanina, në këtë mënyrë, nuk është vetëm një rrugë kalimi drejt Vlorës, por edhe një ndalesë që i shton vlerë eksperiencës turistike. Ajo ndërthur aksesin, panoramën dhe natyrën, duke krijuar një tjetër pikë tërheqëse për vizitorët gjatë sezonit veror.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që ka ndikuar ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.

Bajpasi nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore, mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë Gjirit të Vlorës.

1 nga 17

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›