E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zgjatet me një 1 vit afati i mbështetjes për kreditim nga Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë ka zgjatur programin e mbështetjes së kredive për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme deri në fund të vitit 2026 për disbursimet dhe deri në vitin 2031 për zbatimin. Sipas ekspertit Eduard Gjokutaj  masa lidhet me disa faktorë specifikë.

“Ka një qëndrueshmëri. Nga ana tjetër ruajtja e një norme të inflacionit 2.2% dhe pjesa që ka të bëjë me rikthimin e fuqishëm të sektorit bankar me 16 % më shumë ndaj kreditimit. Natyrisht që të gjitha këto marrin atë rol që Banka e Shqipërisë duke dhënë para bankave tregtare me një normë interesi 0.5 % dhe duke vendosur një tavan në kreditim deri në 3 % e lehtëson të gjithë atë që kanë nevojë bizneset”, tha eksperti.

Nga ana tjetër, thirrja e ekspertëve është për kujdes me masën dhe kohën e zbatimit.

“Një risk i madh është që në momentin që kjo do të zgjatet deri në vitin 2031 i bën më të varur këto lloj biznesesh ndaj pjesës së kredisë së tillë. Nga ana tjetër ndikon në treg në atë lloj konkurueshmërie që vepron paralelisht me fondet e investimeve, vepron me ato bankat e reja”, tha Gjokutaj.

Domosdoshmëria e një kuadri zhvillimor afatgjatë për këtë praktikë duhet të ruhet nga mbetja vetëm si  një masë lehtësuese me efekt të kufizuar.

“Momenti që kjo do të qaset në këtë formë edhe në të ardhmen, natyrisht që kemi edhe paqartësi se si do të koordinohet më hyrjen e bankave të reja, me mënyrën se si politikat e qeverisë financiare dhe ekonomike do të ndërtohen. Ka një tendencë për të zëvendësuar ato që quhen reforma të munguara dhe qasen në këtë mënyrë”, tha ai.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›