Ndërprerjet e reshjeve të shiut sjellin përmirësim – Punohet për hapjen e akseve, apel drejtuesve të bëjnë kujdes

Ndërprerjet e reshjeve të shiut kanë sjellë përmirësim të situatës në zonat e përmbytura, por edhe në infrastrukturë.
Në qarkun e Gjirokastrës, niveli i lumit Vjosë dhe Drino është në kuota normale. Në Libohovë vijon puna në aksin rrugor Sheper-Poliçan, për të mundësuar kalimin e automjeteve.
Edhe në bashkinë Dropull po punohet për vënien në funksion të segmentit rrugor Glinë-Nepravishtë, që lidh 6 fshatra.
Bllokime të herëpashershme ka pasur edhe në aksin rrugor Kolonjë-Golem, nga skarpatet malore të paqëndrueshme anës trasesë së rrugës. Në lartësitë mbi 1500 metër mbi nivelin e detit ka pasur reshje bore.
Në qarkun Elbasan, prurjet e lumenjve dhe përrenjve janë në kuota mesatare. Nga HEC Banjë janë shkarkuar gjatë natës 200 m³/sek. Nuk raportohet të ketë përmbytje në zonën poshtë digës dhe zonën e Sulovës.
Në qarkun Fier, situata po shkon drejt normalizimit më rikthimin në shtrat të lumenjve, ndërkohë që nga Drejtoria e Bujqësisë ka një listë paraprake të dëmeve, e cila pritet të zgjerohet më tej me tërheqjen e ujërave nga tokat bujqësore.
Në qarkun Lezhë, grupet e punës janë në terren për vlerësimin e dëmeve, ndërsa po vijon shpërndarja e ndihmave për banorët e prekur.
Në bashkinë Kurbin vazhdon puna për devijimin e shtratit dhe përforcimin e argjinaturës së lumit Drojë, ndërsa ka tërheqje të ujit nga sipërfaqet bujqësore në njësitë administrative Zejmen, Kolsh, Shënkollë.
Në Mirditë, aksi Rrëshen-Bukmirë vazhdon të monitorohet dhe të ndërhyhet, pasi ka segmente me rrezik shembjeje. Deri tani numërohen dëme të konsiderueshme në të mbjella në zonat Frakull, Levan, Mallakastër dhe Terbuf.
Sakaq, në veri të vendit, në akset Koplik-Bogë, Dedaj-Razëm e Bogë-Theth, reshjet e dëborës kanë pushuar. Po punohet në Qafë-Thore për zgjerimin e rrugës. Policia apelon drejtuesit të bëjnë kujdes dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir.
RTSH