E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërrojnë jetë dy punonjës të IEVP Jordan Misja gjatë ushtrimit të detyrës

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Dy punonjës të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja” kanë humbur jetën si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, viktimat janë Zog Muhametaj, specialist i informacionit me gradën Komisar dhe Pëllumb Vrana, teknik i kamerave me gradën Kryeinspektor.

Sipas njoftimit, rreth orës 21:36 të datës 29 qershor 2026, Zog Muhametaj pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore gjatë instruktazhit të stafit për ndërrimin e shërbimit. Kolegët dhe personeli shëndetësor i institucionit ndërhynë menjëherë duke i dhënë ndihmën e parë dhe më pas ai u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetojë.

Pak orë më vonë, rreth orës 00:00 të datës 30 qershor 2026, edhe Pëllumb Vrana pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës në ambientet e institucionit. Pas ndihmës së parë të dhënë nga kolegët dhe personeli shëndetësor, ai u transportua me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku rreth orës 01:00 ndërroi jetë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Në njoftim thuhet se “Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015 dhe, që nga viti 2023, shërbente në IEVP “Jordan Misja”. Me arsim ushtarak dhe gradën Komisar, ai vlerësohej për profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë në detyrë”.

Ndërsa Pëllumb Vrana, në detyrën e teknikut të kamerave, dha një kontribut të rëndësishëm në funksionimin dhe sigurinë e institucionit, duke fituar respektin e kolegëve për korrektësinë dhe përkushtimin në punë.

Për këto ngjarje reagoi edhe ministri i Drejtësisë Toni Gogu.

“Me dhimbje të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të dy punonjësve të sistemit penitenciar, Zog Muhametaj dhe Pëllumb Vrana, të cilët humbën jetën gjatë ushtrimit të detyrës. Ata i shërbyen me përkushtim sistemit penitenciar dhe shtetit shqiptar. Kontributi i tyre do të kujtohet me respekt nga kolegët dhe nga të gjithë ne”, tha Gogu.

Ministri Gogu, shprehu ngushëllimet e rastit për familjet, të afërmit dhe kolegët e dy të ndjerëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nderoi kujtimin e dy punonjësve, duke shprehur mirënjohje për kontributin e tyre në shërbim të sistemit penitenciar shqiptar. Institucioni u ka shprehur gjithashtu ngushëllimet e rastit familjeve të Zog Muhametajt dhe Pëllumb Vranës.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›