E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOLUMBI – Arrestohet një nga drejtuesit e dyshuar të “Ndrangheta”-s

BOGOTA, 12 korrik /ATSH/ – Autoritetet kolumbiane njoftuan se kanë kapur një drejtues të dyshuar të mafies italiane “Ndrangheta” në Amerikën Latine, i akuzuar për drejtimin e dërgesave të kokainës dhe për menaxhimin e rrugëve të trafikut të paligjshëm drejt Evropës, sipas AP.

Policia e identifikoi të dyshuarin si Giuseppe Palermo, i njohur edhe me emrin “Peppe”, një shtetas italian i kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar të Interpol-it në 196 shtete.

”Ai u arrestua në rrugë në kryeqytetin kolumbian, Bogota, gjatë një operacioni të koordinuar mes autoriteteve kolumbiane, italiane dhe britanike, si dhe agjencisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, Europol”, sipas një raporti zyrtar.

”Palermoja besohet se është pjesë e një prej bërthamave më të forta dhe më të lidhura të mafies ‘Ndrangheta”, tha kreu i policisë kolumbiane, Carlos Fernando Triana, në një postim në platformën X.

“Ndrangheta”, një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të fshehta të Italisë, ka shtrirë ndikimin e saj edhe jashtë vendit dhe akuzohet gjerësisht për importimin e kokainës në Evropë.

”I dyshuari jo vetëm që drejtonte blerjen e dërgesave të mëdha të kokainës në Kolumbi, Peru dhe Ekuador, por kontrollonte gjithashtu edhe rrugët detare dhe tokësore që përdoren për transportimin e drogës drejt tregjeve evropiane”, shtoi Triana./   /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›