Ndezi zjarr për pastrimin e barit por flakët u përhapën në Malin e Shashicës, arrestohet 33-vjeçari

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ndezi zjarr për pastrimin e barërave, por flakët më pas u përhapën dhe dogjën një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi në malin e Shashicës.
Policia njoftoi sot se “si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë ndaluan shtetasin E. F., 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë”.
Sipas policisë “33-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave, në një sipërfaqe toke kullotë në pronësi të tij, në vendin e quajtur “Gryka e Zguros”, në malin e Shashicës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme, me shkurre dhe bimësi të dendur”.
Policia njoftoi se zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
Policia njoftoi se në bashkëpunim me komisariatet në varësi, vijon intensivisht puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo autori të zjarrvënieve në territorin e qarkut të Vlorës.
/m.q/j.p/