Stabilizohet situata e zjarreve në Borsh dhe Lukovë, vijon monitorimi

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi sot se aktualisht situata nga vatrat e zjarrit në zonat e Borshit dhe Lukovës është e stabilizuar.
Sipas ministrit “forcat operacionale dhe Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të pranishme në terren, duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe mbajtur gatishmërinë maksimale për t’i paraprirë çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës”.
Aksioni për shuarjen e flakëve rinisi sot nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore për të neutralizuar zjarret të cilët rrezikonin banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh gjatë natës siguruan perimetra sigurie përreth banesave.
Nga ana tjetër Policia e Shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile ndihmuan banorë dhe pushues të evakuohen nga zonat më të rrezikuara, duke shoqëruar drejt sigurisë 40 prej tyre.
/m.q/j.p/